PD kërkesë për sqarim KQZ-së: Pse 137 votues janë regjistruar dy herë në listat e zgjedhësve?

Partia Demokratike përmes një shkrese drejtuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pretendon se në regjistrat e votuesve, janë të paktën 137 qytetarë që figurojnë në të dy listat e zgjedhësve, atë të votuesve me banim jashtë vendit dhe në atë të votuesve në Republikën e Shqipërisë.

Partia Demokratike thekson se kjo problematikë rrezikon që 137 persona mund të votojnë dy herë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Kërkesa e Partisë Demokratike drejtuar KQZ:

Kemi disa pyetje për të cilat kërkojmë përgjigje me shkrim nga ana e KQZ.

A janë kryer auditimet e nevojshme dhe a ka rezultuar ky problem gjatë tyre? Nëse po, cili është numri i rasteve të identifikuara në shkallë vendi dhe sipas çdo qarku? Cili është shpjegimi zyrtar për praninë e këtyre 137 rasteve të regjistrimit të dyfishtë?

Çfarë masash janë marrë për eliminimin e dublimeve dhe për parandalimin e votimit të dyfishtë nga këta shtetas? Në rast se është bërë eliminimi i dublimit, në cilën listë do të mbetet zgjedhësi: në listën e votimit nga jashtë (sipas vullnetit të shprehur) apo në listën në RSH, ku është regjistruar në mënyrë pasive?

Duke qenë se afati i finalizimit të listës së votuesve nga jashtë ka qenë më i hershëm sesa ai për listën e votuesve brenda territorit të RSH, cila ishte arsyeja që këta shtetas nuk janë ç’regjistruar nga lista e gjeneruar nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile?

A keni identifikuar përgjegjësi ligjore për këto probleme në institucionet që hartojnë listat përkatëse, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile? Çfarë veprimesh administrative, disiplinore apo ligjore janë marrë, ose parashikohen të merren, për zyrtarët që nuk kanë garantuar saktësinë e regjistrave?

Lidhur me këto shqetësime, kërkojmë të na vihen në dispozicion të gjitha të dhënat dhe evidencat e këtyre rasteve, të ndara sipas qarqeve.

Po ashtu, vërejmë një tjetër problematikë që lidhet me zgjedhësit nga Diaspora, të cilët janë regjistruar përmes procedurës së gjykimit “online” dhe kanë fituar të drejtën e votës me vendim gjykate. Kjo procedurë është parashikuar në Kodin Zgjedhor, si dhe në Vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Komisionit Rregullator të KQZ-së. Pavarësisht kësaj, një numër prej tyre nuk janë reflektuar në listat përfundimtare të votuesve nga jashtë, çka përbën shkelje të të drejtës së votës dhe vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Kërkojmë përgjigje të qarta mbi sa vijon:

Sa raste të tilla me vendim gjykate janë regjistruar në total si zgjedhës nga jashtë nga KQZ dhe sa raste keni marrë informacion që nuk kanë gjetur dot emrin në listat e votuesve nga jashtë?

Sa prej tyre janë adresuar dhe përfshirë në listat e votuesve nga jashtë?

Si do të rregullohen rastet ku ende nuk janë nisur fletët e votimit drejt zgjedhësve në Diasporë, por nga ana tjetër, zgjedhësit duhet të jenë të regjistruar në listat e votuesve brenda vendit, në zbatim të vendimeve të gjykatave?

Duke qenë se këto shqetësime përbëjnë shkelje të rënda dhe rrezikojnë të prishin themelin e procesit demokratik të zgjedhjeve, ju lutemi të na siguroni këto sqarime dhe dokumente brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes së kësaj shkrese.


Shtuar 23.04.2025 19:21

Tags: ,