Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka kryer veprime hetimore në kuadër të procedimin penal nr. 91/1, të vitit 2023.
Më konkretisht, bëhet fjalë për drejtorin e Policisë Rrugore të Tiranës, Roven Zeka, shefin e aksidenteve Sokol Novaku dhe oficerin e Policisë Gjyqësore, Edison Tabaku.
Ata dyshohet se kanë marrë ryshfet në lidhje me një aksident të regjistruar më 16 Prill në Tiranë, ku automjeti që drejtohej nga shtetasja Anisa Vrioni, është përplasur me një automjet tjetër ku udhëtonin 5 persona, të cilët kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në spital.
SPAK sqaron se shoferja Anisa Vrioni, e cila ka shkaktuar aksidentit është bashkëshortja e shtetasit Ergest Vrioni, i cili është nën hetim nga drejtësia për korrupsion.
Sipas burimeve të mediave, ky i fundit është biznesmen dhe ka qenë në përgjim nga Prokuroria e Posaçme.
Organi i akuzës bën me dije se; nga hetimet ka rezultuar se punonjës të Policisë Rrugore i kanë kërkuar familjarëve të shoferes Anisa Vrioni, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.
SPAK raporton se shuma e parave, është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga biznemsni Ergest Vrioni, me ndihmën e personave të tjerë dhe i është dorëzuar njërit prej efektivëve të Rrugores.
“Në datën 16 prill 2025, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin. Si pasojë e aksidentit, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, (parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.)
Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj. Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë. Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit.” – thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Posaçme.
Organi i akuzës bën me dije se urdhri i ndalimit të shtetasve: Edison Tabaku, Sokol Novaku dhe Roven Zeka është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal, raportohet se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro.
Prej kohësh Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ka vënë nën përgjim një numër të lartë personash për llogari të hetimeve të ndryshme në duart e prokurorëve.
Nuk kanë munguar rastet si ky i fundit që nga bisedat të përgjuarit, kanë rënë në pranga për çështje të ndryshme.