Shfrytëzonin 10-vjeçarin për klikime në Tik Tok, burg për gjyshen e babain e të miturit! Gjykata i heq Kumarakut të drejtën e prindërimit

Gjykata e Shkallës së Parë në Berat, ka dhënë vendimin për një rast të rëndë abuzimi familjar që tronditi opinionin publik: shfrytëzimin e një fëmije të mitur në rrjetin social TikTok për përfitime financiare.

Babai i fëmijës, Armando Kumaraku, u dënua me 3 vite e 6 muaj burg, ndërsa gjyshja e tij, Natasha Rombula, u dënua me 2 vite e 3 muaj burg.

Gjykata ka vendosur gjithashtu, heqjen e të drejtës së prindërimit për Armando Kumarakun, si një masë plotësuese ndaj dënimit penal.

Ngjarja që u bë publike disa muaj më parë, zbuloi se babai dhe gjyshja kishin përdorur për një periudhë të gjatë nipin 10-vjeçar për video në TikTok, me qëllim përfitimin e dhuratave dhe parave nga ndjekësit.

Vendimi u dha nga gjyqtarja Lumturi Zhupa, e cila pranoi kërkesat e organit të akuzës për masat ndëshkuese ndaj të pandehurve, duke e konsideruar veprimin e tyre një shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës dhe detyrimeve prindërore.