“Veliaj vijon të vjedh nga qelia”/ Blushi publikon PAMJE nga ‘mali’ me plehra në Selitë: Fatura e këtij pisllëku është mbi 32 milion euro/vit

Sekretar i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi ka publikuar një video në Facebook nga zona e Selitës, ku denoncon situatën e rëndë me mbetjet urbane dhe akuzon qeverinë dhe Veliajn për abuzimin me fondet e inceneratorit që, sipas tij, nuk ekziston.

“Ndodhem në zemër të Selitës, aty ku malet me plehra lartësohen dhe po kapin çatitë e këtyre kodinave që janë në prag të shembjes. Në fakt, po lartësohen çdo ditë bashkë me to dhe pasurimi i paligjshëm i Edi Ramës dhe i të gjithë zyrtarëve të tjerë të Rilindjes përfshirë dhe ish- kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili dhe pse ndodhet në qeli vijon të vjedh taksat e qytetarëve të kryeqytetit për shkak se afera e inceneratorit inekzistent vijon dhe pagesat vijojnë të paguhen ndërkohë që plehrat po përmbysin Selitën dhe gjithë Tiranën.

Të vetmet “suksese” që po le pas “Rilindja” në Tiranë janë malet me plehra që lartësohen. Fatura e këtij pisllëku është mbi 32 milion euro/vit taksa që nuk shkojnë për pastrimin por përfundojnë te inceneratori që nuk ekziston dhe kompania e lidhur me Ndranghetan.
Më 11 Maj është koha t’i fusim fshesën “Rilindjes”, ngrehinës së pisllëkut që ka asfiksuar të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Blushi.


Shtuar 12.04.2025 16:58