Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, është nderuar sot me titullin “Qytetar Nderi” nga Komuna e Gjilanit. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Asamblesë Komunale, në prani të Kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, Kreut të Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu, si dhe anëtarëve të tjerë të këshillit vendor.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për këtë nderim, duke theksuar se e pranon me përulësi titullin si një shprehje e lidhjes së ngushtë mes shqiptarëve në të gjitha trojet. Ai vlerësoi Gjilanin si një qytet me traditë, histori, sakrificë dhe qëndresë.
“Ky titull u përket të gjithë shqiptarëve që në momentet më të vështira të historisë së Kosovës qëndruan pranë dhe krah jush, si pjesë e pandashme e një trungu të përbashkët,” tha Presidenti Begaj.
Ai kujtoi me respekt figurat historike të Gjilanit, si Idriz Seferi, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Agim Ramadani dhe Rrahim Beqiri, duke theksuar se kontributi i tyre për lirinë është i gjallë në vetëdijen e brezave të rinj.
Duke folur për të ardhmen, Presidenti u shpreh se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë pranë Kosovës, jo vetëm në kohë të vështira, por edhe në paqe, në rrugën e përbashkët drejt integrimit evropian.
“Paqja kërkon mendje të mençura, vizion të qartë dhe guxim për të ndërtuar një të ardhme më të begatë për kombin tonë. Dy shtete, një komb, një gjuhë, një gjak – kjo është ADN-ja jonë,” deklaroi ai.
Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret ndërshqiptar në ekonomi, arsim, diplomaci dhe në krijimin e një tregu të përbashkët. Sipas tij, kjo është një mundësi historike që duhet kthyer në zhvillim të prekshëm për qytetarët në të dy anët e kufirit.
Gjatë vizitës në Gjilan, Presidenti zhvilloi takime me drejtuesit lokalë dhe përfaqësues të forcave politike në Asamblenë Komunale. Ai kreu gjithashtu homazhe dhe mbajti një minutë heshtje në Varrezat e Dëshmorëve, së bashku me familjarë dhe përfaqësues të shoqatave të të rënëve për liri.