Berisha kërkon votën e qytetarëve të Elbasanit: Shqipëria shpëton në 11 maj

Kryetari i Pasrtisë Demokratike, Sali Berisha, u prit në Elbasan nga simpatizantët e PD-së me entuziazmin e shpresës për fitore, në kuadër të takimit të radhës prezantues me kandidatët për deputet në garën e 11 majit.

Lideri i opozitës, e nisi fjalën me një krahasim mes ish-diktatorit Enver Hoxha dhe kryeministrit Edi Rama.

“Enver Hoxha ishte mizor, por ama shtëpinë nuk e kaloi në emrin e tij, Edi Rama bëri kullat më të larta se të ish-diktatorit”, tha Sali Berisha, Kryetar i PD-së.

Gjithashtu. Berisha u ndal te Inceneratori i Elbasanit, duke e quajtur vjedhjen më të madhe të ndodhur ndonjëherë.

“Janë vjedhur miliona euro, 130 milion euro janë marrë nga taksat tuaja…”, vijoi kreu i PD.

PD është forca që premton Shqipërinë madhështore, sipas Sali Berishës.

“Për Edi Ramën nuk është problem pensioni i ulët i pensionistëve, nuk është problem largimi i të rinjve, nuk është problem sundimi i krimit, sepse ai sundon bashkë me të…”

Nga Elbasani, Berisha kishte një përgjigje për Bufin që kryeministri Edi Rama e sjell në shenjë krahasimi.

“Ai vërtetë ka saraje, ka rrëmbyer tokë në bregdet, por ka një gjë që i mungon atij, është i shkretë dhe i varfër në kulturë. Ai gaboi duke më krahasuar mua me bufin, simbolin e mençurisë së të gjithë kohërave…”

Në mbyllje, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Elbasanit të votojnë kandidatët e koalicionit Shqipëria Madhështore, pasi sipas tij, socialistët kanë përfshirë në garë vetëm eksponentë të krimit.


Shtuar 6.04.2025 13:59