Skandali me mishin e pulës me salmonelë/ Reagon ministrja Denaj: S’bëhet politikë me ushqimin…

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, duke folur ekskluzivisht për Euronews Albania, para një takimi të Kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Athinë, u prononcua dhe në lidhje me filetot e bllokuara për shkak të përmbajtjes së salmonelës.

Sipas ministres, AKU ka kryer detyrën e saj sipas protokolleve dhe është e angazhuar për të garantuar sigurinë ushqimore.

Denaj theksoi ka pasur reagim por se nuk duhet të politizohet çështja e ushqimit dhe se rasti duhet të shqyrtohet nga institucionet përkatëse.

“Është gjithmonë kënaqësi të jesh në Athinë me bashkëatdhetarët. Situata e AKU është e qartë; agjencia ka kryer detyrën dhe ka realizuar kontrollet e nevojshme. Sigurisht, lajmi është bërë publik, janë konfirmuar përgjigjet e analizave dhe i gjithë zinxhiri i kontrollit, për të cilin AKU ka denoncuar ata që kanë shkelur protokollet.

Çështja i takon insitucioneve si krimi ekonomik, policia që duhet të japin gjykimin përkatës. Nuk bëhet politikë me ushqimin, është shumë e rëndësishme që të verifikohen prononcimet në media nga institucionet shtetërore. Jo vetëm që kemi reaguar, por gjithashtu i kemi çuar çështjet përpara institucioneve. Por, politikë me ushqimin nuk bëhet, institucionet janë aty për të garantuar zbatimin e protokolleve, të cilat janë të shkruara dhe të zbatuara nga ne. Jam gjithmonë në shërbim të sqarimit, por vetëm për publikun”, deklaroi Denaj.


Shtuar 30.03.2025 15:50