Teksa ndodhet në dy procese gjykimi në Gjykatën e Posaçme, ish-kryetari i bashkisë Himarë, tashmë do përballet në SPAK dhe me një dosje të tretë, e cila është regjistruar gjatë këtyre ditëve.
“Ora News” ka mësuar se bëhet fjalë për një dosje që fillimisht është regjistruar në prokurorinë e Vlorës, por tashmë është shpallur moskompetencën lëndore, duke çuar aktet hetimore për verifikime të mëtejshme në SPAK.
Kallëzimi për këtë çështje fillimisht është bërë nga një mësues në Himarë, i cili ka denoncuar Jorgo Goron, Arqile Bollanon dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë Himarë, të cilët kanë miruar një lejë për rrethimin e një sipërfaqe toke si dhe prerjen e pyllit, që ndodhej pikërisht mbi këtë sipërfaqe toke.
Leja është marrë nga një subjekt privat, mbi një sipërfaqe toke që zotërohet me dokumente nga mësuesi Irakli Likoka. Pas ndërhyrjes së Likokës, situata është përkeqësuar duke çuar palët dhe në përplasje fizike.
Çështja, përfundoi në dyert e komisariatit të Himarës dhe më pas në prokurorinë e Vlorës.
Por pas verifikimeve të kryera, prokurorët Mirjon Brahimllari, Erjon Shqari, vendosi që çështjen kundër Goros, Arqile Bollanos dhe zyrtarëve të tjerë të Bashkisë Himarë, t’ia kalojë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Posaçme SPAK.
Tashmë dosja është regjistruar në këtë prokurori, ku nga verifikimet e kryera rezultoi se Jorgo Goro jo vetëm që ka miratuar lejen për rrethimin e sipërfaqes së tokës për subjektin privat, por dhe ka dhënë tokë më tepër dhe jashtë çdo kriteri për vartësin e tij, Arqile Bollanon.
Kjo është dosja e tretë që regjistrohet kundër Jorgo Goros në SPAK, duke çuar ish-kryebashkiakun socialist në një rekord Gines për sa i përket regjistrimit të dosjeve në SPAK.