Rënia në përgjim e Erjon Veliajt teksa fliste me gruan e tij nga furgoni i Burgut të Durrësit, ngriti në këmbë dy prokurorët e SPAK-ut, pasi dyshuan se Veliaj përdorte një aparat telefoni në burg.
Por kur verifikuan numrin që kishte rënë aksidentalisht në përgjim të SPAK (pasi në përgjim ishte numri i Ajola Xoxës), kuptuan se ai ishte një numër që përdorej nga një punonjës policie i burgjeve.
Me urgjencë prokurorët kanë marrë listën e shërbimit ditor të këtij punonjësi policie dhe konstatuan se ditën dhe orën kur është bërë thirrja telefonike në drejtim të numrit të Ajola Xoxës, ky punonjës policie ka qenë në shërbim në trupën e shoqërimit që transportonte me furgon Veliaj nga paraburgimi i Durrësit, në drejtim të Gjykatës së Apelit të Posaçëm në Tiranë.
Menjëherë është urdhëruar shoqërimi në ambientet e SPAK-ut të punonjësit të policisë, i cili gjatë marrjes në pyetje ka pranuar para prokurorëve se numri ishte i tij dhe ja kishte dhënë Veliajt brenda në furgon, pasi ia kishte kërkuar për të folur me gruan.
“…ia kam dhënë me dëshirë dhe pa asnjë premtim apo favorizim, pasi ma kërkoi të fliste me gruan. Me erdhi keq dhe ja dhashë. Unë jam në moshë të madhe dhe për pak kohë dal në pension. Nuk e mendova se ishte shkelje e rëndë…”,-ka treguar punonjësi i policisë M.
Për shkak të kësaj dëshmie bashkëpunuese, prokurorët e kanë toleruar punonjësin e policisë së burgjeve në prag pensioni, duke mos e arrestuar për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Ndërkohë, në pyetje brenda godinës së SPAK janë marrë dhe 5 anëtarët e tjerë të grupimit të shoqërimit, si dhe komandanti i grupit, shtetasi, Gëzim. Gj.
Të gjithë anëtarët, përfshirë dhe shoferin e furgonit që transportoi Veliaj në Gjykatën e Apelit, janë vënë në hetim nga SPAK për akuzën “Moskallëzimit të krimit”.
Kjo pasi sipas SPAK ata kanë qenë brenda në furgon dhe kanë parë e dëgjuar se Veliaj ishte duke folur në telefon dhe nuk kanë marë asnjë masë të parandalojnë dhe ndalojnë atë.
Veprimet e kundërligjshme të Veliaj dhe kolegut të tyre M, që i dha telefonin, thotë SPAK nuk janë denoncuar në organet përkatëse nga 5 punonjësit e tjerë të policisë së burgjeve, ndaj të cilëve rëndon akuza e “Moskallëzimit të krimit”.
Ndërsa për Veliaj, është ngritur akuza e “Futjes ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, vepër kjo që parashikon një dënim nga 1 deri në 3 vite burgim.