Lista e Durrësit/ Rama nuk ndahet dot nga Ilir Ndraxhi, kandidati i bandës së Avdylajve

Nëse dikush do ta dëgjonte për herë të parë Edi Ramën kur lëshon romuze për kandidatët e ndryshkur të opozitës dhe pastaj prezanton listat e kandidatëve të Partisë Socialiste me krenarinë e njeriut që e ka rifreskuar partinë, do të mendonte se më në fund Shqipëria ka shansin të dalë nga një epokë, ku vendi u mbajt peng nga një kastë e vjetër politike, mjafton të votojë ofertën e re që servir kryeministri.

Si mjeshtër i propagandës që është, Rama shpjegon shumë seriozisht se si listat e Partisë Socialiste janë produkt i një pune të mirëfilltë studimore, aty ku, njësoj sikur PS të ishte një lloj Harvardi politik, vetëm më të mirët dhe vetëm më të aftët kanë shansin të zgjidhen deputetë.

“Bëjmë të gjithë punën studimore, studimore të territorit, të potencialeve dhe bashkëpunojmë me komunitetet, me partinë, me aktorë dhe faktorë të shoqërisë për të kuptuar se cilët dhe cilat janë kandidatët më të përshtatshëm.” – deklaroi ai pak ditë më parë, në rubrikën “Sy m’sy”.

Si për ta vulosur këtë proces të sofistikuar meritokracie, sot në Lushnje ai shtoi me krenari: “Sot Shqipëria ka nevojë shumë për forcën dhe energjinë e të rinjve. Për këtë arsye i kemi dhënë njerëzve partinë më të re në garë dhe me mundësitë që të rinjtë të shkojnë në parlament”.

Duhet pranuar se, pavarësisht mungesës së autoritetit politik, një pjesë e mirë e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 Majit janë emra të padëgjuar dhe të paprovuar më parë në jetën publike.

Megjithatë kjo është një gjysëm e vërtetë. Gjysma tjetër duhet parë në detajet e listës së Partisë Socialiste. Se detajet jo vetëm bëjnë diferencën, por e zhbëjnë propagandën e Ramës dhe dëshmojnë për një realitet tjetër në prapaskenë.

Në “listën e re” të Durrësit për shëmbull, atë që Rama e shet si “energji të re”, është prapë Ilir Ndraxhi. I njëjti që në përgjimet e dosjes “339” të publikuara nga gjermania BILD në vitin 2019 doli si ishte i përzgjedhuri i bandës së Avdylajve për në Kuvendin e Shqipërisë.

Ilir Ndraxhi është njeriu që u fut në të njëjtën listë të kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 me bekimin e Astrit dhe Altin Avdylajt, që u rizgjodh sërish deputet në 2021, dhe që tani kërkon një mandat të tretë si kandidat i Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit.

Dhe nëse dikush mendon se dosja “339” është një legjendë urbane, le të kujtojmë se si u vendos Ilir Ndraxhi në listën e PS së Durrësit, jo nga një proces studimor në territorin e Shijakut, por nga një telefonatë mes eksponentëve të botës së krimit.

Në një nga përgjimet që u krye atëherë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe u publikua nga BILD, (përgjimi 1 i plotë poshtë) kreu i grupit kriminal të Shijakut, Astrit Avdylaj, flet me vëllain e Ndraxhit dhe i kërkon të dijë nëse “Liri” ka marrë një telefonatë “nga lart” për ta konfirmuar si kandidat i PS-së.

“Do punojmë shumë fort për të surprizuar ‘të gjatin’ (Ramën) me një rezultat 10 me 0,” thotë Astriti, duke e qartësuar se zgjedhjet nuk ishin as çështje programi, as çështje vizioni, por një çështje pazaresh.

Dhe ashtu ndodhi. Pa asnjë surprizë, Ilir Ndraxhi përfundoi në listën e PS-së në Durrës, duke përfaqësuar interesat e grupit kriminal të Avdylajve, në këmbim të mbështetjes së tyre në fushatën elektorale të PS-së në qytetin bregdetar.

Disa ditë më vonë, Avdylajt organizojnë një tjetër takim me kryebashkiakun e Shijakut, Ardian Kokomani dhe Vangjush Dakon, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Durrësit për të zyrtarizuar përfshirjen e Ndraxhit si përfaqësues i interesave të tyre në Kuvend. (përgjimi 2 i plotë poshtë)

Kur dosja u bë publike në vitin 2019, në një vend normal, një skandal i tillë do ta kishte fundosur karrierën e çdo politikani të përfshirë. Por Shqipëria nuk është një vend normal.

Në 2021, Ilir Ndraxhi u rizgjodh deputet dhe mori 2746 vota.

Në 2025, Rama e sjell sërish si një opsion të hapur për votën e qytetarëve, duke kërkuar një mandat të katërt për të. Po të llogarisim se në këto zgjedhje, nuk kandidon më as Edi Rama, as Rrahman Rraja, as Lefter Koka, atëherë rezulton se Ilir Nraxhi i ka të gjitha shanset që të hyjë në parlament edhe për këtë legjislaturë.

Kjo e Ilir Nrxhit nuk është një kandidaturë si gjithë të tjerat. Ajo duhet parë si një provë që pavarësisht propagandës për masat që po merren për krimin zgjedhor, struktura që e lidh atë me politikën mbetet e paprekur. Është e vërtetë që Vangjush Dako përfundoi në burg për një tender të manipuluar. Edhe Astrit Avdylaj u arrestua dhe u hetua nga prokuroria për akuzat për trafik droge.

Por si për njërin, ashtu dhe për tjetrin nuk pati hetim për skemën e marrjes së votave nëpërmjet presioneve dhe parave, një skemë që me gjasë vazhdon të funksionojë, pasi banda e Shijakut u godit nga drejtësia, por lidhjet që kishte ndërtuar me Partinë Socialiste mbeten ende aty.

Prandaj pas çdo zgjedhjeje, dalin në krye të njëjtat fytyra, të njëjtat skandale, dhe të njëjtat banda që diktojnë kush do të ulet në karriget e parlamentit. Dhe kjo e vërtetë është më kokëfortë se çdo fjalim i Ramës për energjinë e re në lista dhe pavarësisht sa për të qeshur bëjnë batutat e tij për opozitën.

PëRGJIMI I PUBLIKUAR NGA BILD Që LIDHET ME ILIR NRAXHIN

Transkript i bisedave të publikuara nga BILD
Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Avdylajve në Shijak, telefonon arjan Ndraxhin, vëllain e “Lirit” (Ilir Ndraxhi), deputetit të ardhshëm të Partisë Socialiste.

Klani kriminal i avdylajve, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama përmes kryebashkiakut Vangjush Dako, që Ilir Ndraxhi të listohet si kandidat për deputet në listën e PS-së për rrethin e Durrësit.

Në këtë bisedë, bossi i krimit Astrit Avdylaj, telefonon vëllain e deputetit të mundshëm, dhe e pyet nëse i vëllai ka marrë një telefonatë nga lart për tu konfirmuar si kandidat. Më tej Astrit Avdylaj zotohet se do të punojmë shumë fort për të surprizuar “të gjatin” (Edi Rama) me një rezultat pozitiv 10 me 0.

Audio 3 – Biseda mes Astrit Avdylajt dhe Arjan Ndraxhit (Vëllai i deputetit socialist Ilir Ndraxhi)

Arjan Ndraxhi: Tito, t’rujt Zoti, mirë?

Astrit Avdylaj: si ia çove Arjano, si je, çkemi?

Arjan Ndraxhi: Mirë, mirë.

Astrit Avdylaj: Ça bohet?

Arjan Ndraxhi: Hiç o mirë, asgjë, me çunin. Ça bëhet, mirë jeni?

Astrit Avdylaj: Hiç vëllai, të mora për qejf vëllai. A kanë thirr gjë, ndonjë gjë, apo akoma?

Arjan Ndraxhi: Për ku?

Astrit Avdylaj: A i kanë bo ndonjë thirrje (Për Ilir Ndraxhin), ndonjë gjë vëllait apo jo?

Arjan Ndraxhi: Jo mor, ai tha që do takohej me ty. Po ti s’ishe dje, që Juve. Ai tha se foli Juli, tha që do e takojë. Mori në darkë tha që do rri nesër me Ridin, Astritin dhe Julin.

Astrit Avdylaj: Ok

Arjan Ndraxhi: Dhe pastaj do të takohej dhe me të. Por me Gjushin në fakt, do takohen për punë pune, sot si i thonë… si nga ana e punës

Astrit Avdylaj: Ok, ok, mirëpo unë po pres me një fjalë. Nesër, pasnesër ai më tha. E kena në xhep si me thënë, a e kupto vëllain tat?

Arjan Ndraxhi: Po, Po.

Astrit Avdylaj: Ai më tha mu, po presim me dat 25. Ishte Eltoni, atë e vuri të 10-in a të 11-in.

Arjan Ndraxhi: Elton Arbana, mirë mirë.

Astrit Avdylaj: Unë jam duke punuar këtu me një fjalë. Te lagjia ime, me njerëzit. Nuk kam dalë ndonjëherë në pazar, por jam t’u taku njerëz, çdo njeri që merret ashtu. E kam shumë, shumë… dhe duhet të jemi shumë të nderum nga ai sipër (Edi Rama), që do të na shofin me një kështu..

Arjan Ndraxhi: E vërtetë

Astrit Avdylaj: Le ti japim (Edi Ramës) dhe një dhjetëshe me zero, që edhe ai vetë të habitet.

Arjan Ndraxhi: Bëji një telefon Julit, të shkonim me pi një kafe aty te puna.

Astrit Avdylaj: Mirë o rob zoti.

Arjan Ndraxhi: ti e ke numrin e Julit

Astrit Avdylaj: Po e kam, hë se i bëj zile vetë. Pa merak.

Arjan Ndraxhi: Mirë

Astrit Avdylaj: Hajt

Arjan Ndraxhi: Shumë faleminderit

Astrit Avdylaj: Ça flet asgjë.

Arjan Ndraxhi: Mirupafshim

PëRGJIMI 2 Që LIDHET ME ILIR NRAXHIN, I PUBLIKUAR NGA BILD

Astrit Avdylaj, kreu i grupit kriminal të Avdylajve në Shijak telefonon kryebashkiakun e Shijakut për të caktuar një takim me të, me Vangjush Dakon dhe me “Lirin” (Ilir Ndraxhi), një person që grupi kriminal i Avdylajve kërkon që të vendoset si kandidat i PS-së. Takimi mbahet me një synim: finalizimi i marrëveshjes që Ilir Ndraxhi do të vendoset si kandidat për deputet i PS-së në Durrës, duke përfaqësuar interesat e grupit kriminal të Avdylajve, në këmbim të mbështetjes së plotë të këtij klani në fushatën elektoralë të PS-së në Durrës.

PERGJIMI

Astrit Avdyli: Alo?
Ardian Kokomani: He mo
Astrit Avdyli: Si je kryetar?
Ardian Kokomani: Si ke qenë ti?
Astrit Avdyli: Mirë faleminderit, ca po bon?
Ardian Kokomani: Jam akoma këtej, sa kemi mbaruar dhe po hamë drekë?
Astrit Avdyli: Mirë, po a e di pse të mora unë?
Ardian Kokomani: Po…
Astrit Avdyli: Nesër kemi një takim në orën 10:00 të mëngjesit
Ardian Kokomani: Po, po, të dëgjoj…
Astrit Avdyli: Unë, ti, Gjushi, Liri (Ilir Ndrazhi), vëllai i Lirit dhe ju, do të pimë një kafe nesër në orën 10:00, prandaj të kam marrë sot
Ardian Kokomani: Nesër në orën 10:00 është ceremoninë te pallati i Kulturës se është ceremonia se ka vdekur Niko Bespalla dhe takohemi atje.
Astrit Avdyli: Do takohemi te një kafe, do sjellim edhe Paparitin që të jemi nesër, a më kupton
Ardian Kokomani: Pa merak…
Astrit Avdyli: Edhe sot ato dhe po diskutonim, ishte dhe Juli. Kështu që e kupton? Është ai, por të jesh edhe ti, e kupton…po nuk ishte ti, a më kupton
Ardian Kokomani: Eeeee
Astrit Avdyli: Alo…ca më the?
Ardian Kokomani: Pa merak, se atje do të jem në Durrës se do të jem edhe në Durrës
Astrit Avdyli: Mirë, ngaqë do ashtu që të jesh edhe ti më këto, a më kupton
Ardian Kokomani: Po, po
Astrit Avdyli: Mirë, pra faleminderit
Ardian Kokomani: Hajt, hajt/Lapsi.al


Shtuar 18.03.2025 12:34