Kërkesa e Kosovës për të qenë e ftuar speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u hoq nga rendi i ditës.
Ariana Musliu Shoshi, pjesë e delegacionit të Kosovës ka konfirmuar heqjen e Kosovës nga agjenda e Komitetit Politik të Këshillit të Evropës për të qenë mysafire speciale në këtë komitet.
Ajo ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se kjo u bë me kërkesë të kryetarit të Grupit të EPP, Pablo Hispán dhe siç tha Musliu Shoshi, kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët.
“Sot, në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, morëm pjesë si delegacion, ku në agjendë ishte edhe opinioni për ngritjen e statusit të Kosovës në këtë organizatë. Në fillim të takimit, me kërkesë të kryetarit të Grupit të EPP, Pablo Hispán, u votua për shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës, një zhvillim i papritur që nuk ishte paraparë as në grupet politike dhe as si mundësi”, ka deklaruar Shoshi.
Ajo është shprehur se kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet në bashkëpunim me aleatët, dhe një strategji për të siguruar realizimin e prioriteteve në arenën ndërkombëtare.
“Kjo situatë tregon nevojën për mobilizim si shtet, në bashkëpunim me aleatët tanë, për të krijuar një strategji të qartë që do të sigurojë realizimin e prioriteteve dhe agjendave tona në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar Shoshi.
Kjo kërkesë ishte në rendin e ditës së takimit të Komitetit, i cili po mbahet në Paris. Kjo nuk është hera e parë që politika e Jashtme e Kosovës dështon, ndërsa politika në Serbi e quajti këtë një fitore.