Në fillim të spektaklit, G Bani vendosi të ndërpresë lojën e “Big Brother Vip Albania 4”, pasi Ledioni u fut brenda shtëpisë dhe i komunikoi se babai i tij ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka pësuar ishemi cerebrale dhe se familjarët donin ta kishin sa më pranë.
Këngëtari u largua mes lotësh, ndërsa produksioni i kishte prerë biletën e avionit për në Londër. Por, kur u largua tek dera me Ledionin, G Bani e pyeti: “A është rreng për të më nxjerrë”?
Kjo deklaratë ngjalli dyshime të forta, por lidhur me aludimet ka ardhur së fundmi një reagim edhe nga vetë G Bani, i cili ishte vetë i pari i cili i dyshoi në vërtetësinë e lajmit.
Reperi shkruan se dhe atij vetë nuk i është besuar deri në momentin kur ka folur me familjen, por lajmi është i vërtetë dhe falenderon ata që e kanë mbështetur.
Në mesazhin e tij publik, G Bani thekson se nuk do të publikojë foto apo momente të vështira të babait për të “bindur” të tjerët, duke i lënë pas komentet dhe dyshimet.
Ai shton se të gjitha fjalët, kërcënimet dhe sharjet që ka marrë gjatë kësaj kohe i fal të gjithë, duke i lënë pas ato që ndodhën brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”.
“Ju faleminderit të gjithëve për fjalët e mira dhe përkrahjen. Jo, nuk është rren. Jam futur në BBVA4 jo me Babin, kështu që nuk do postoj foto të tij në momente të vështira për të bindur apo përt të ngopur gëzimin e hijenave dhe të korbave. Nuk më është besuar deri sa kam folur me familjen. E besojn apo jo disa lojtarë apo disa komentues, edhe unë kam familje. Nuk kam dalë nga ferra. Të gjitha epitetet, kërcënimet dhe sharjet ua boj hallall të gjithëve. Të gjitha çfarë kanë ndodhur aty, unë do i lej aty. Jetë të mbarë të gjithëve, ju rujt Zoti!”, – shkruan G Bani.