Publikohen pamjet/ Kush është shoku në katin e 9-të të ETC-së, që Veliaj e takonte “i maskuar” nga i cili dilte me çantë shpine? (VIDEO)

Në redaksinë e lajmeve në “Ora News”, ka mbërritur një tjetër video që flet për lëvizje dhe takime të dyshimta të kryebashkiakut të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Bëhet fjalë për pamje që sipas burimeve, i përkasin vjeshtës së vitit të kaluar, që është dhe periudhë kur hetimet ndaj tij sa vinin e intensifikoheshin dhe ku Veliaj është filmuar nga punonjës në zyrat e qendrës ETC në Tiranë, të cilët theksojnë se ai është parë shumë shpesh duke hyrë dhe dalë nga kati i 9-të i godinës në fjalë.

Në videon e siguruar nga “Ora News”, shihet që “i maskuar” me një kapele të zezë, Veliaj del nga qendra dhe futet me shpejtësi në makinën e tij, teksa mban mbi shpinë një çantë të zezë sportive, ku nga pamjet shihet që është e mbushur dhe e rëndë.

Por se çfarë ka pasur Veliaj në atë çantë, lekë apo dokumente, besojmë se do të jetë detyrë e Prokurorisë së Posaçme që ta hetojë më në detaje.

Gjithsesi, pyetja që shtrohet a mos është kati i 9-të i ETC-së “Harabeli 3”, për të cilin institucionet hetimore nuk kanë informacion mbi aktivitetin që realizohet aty?

Kush është shoku apo miku i Veliajt në katin e 9-të të ETC-së?

Se çfarë ka “kurdisur” apo fshehur Erion Veliaj në këtë zyrë, i takon SPAK-ut të japë përgjigjet e tij përmes hetimeve, por nga burimet që mundësuan edhe këto pamje mësohet se ai hynte pa çantë dhe dilte pa çantë dhe makinën e tij e fshihte në anësoren e rrugicës së ETC-së.

 


Shtuar 19.02.2025 15:30