Ditën e sotme, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit në SPAK, në kuadër të masës së sigurisë së vendosur ndaj tij” detyrim paraqitje”, ndërsa më pas u ndal për të folur para mbështetësve të tij dhe mediave.
Berisha u shpreh fillimisht se ka lënë në SPAK një letër në të cilën, sipas tij, ka shkruar se i drejtohet kreut të prokurorisë se politika e Xhorxh Soros, ka dështuar në SHBA dhe se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri.
“Pasi u paraqita, i lashë Altin Lalës letrën që vijon: Kreut të kësaj organizate kriminale, Altin Dumani, që zbaton politikën e Shqipërisë pa opozitës të monstrës Xhorxh Soros dhe kukullës së tij në Tiranë. Por kjo politikë dështoi në SHBA dhe të njëjtin fat do ketë në Shqipëri. Firmosur, Sali Berisha. Kjo është kopja”, – tha Berisha.
Lideri demokrat dënoi edhe protestën e militantëve të Erion Veliajt para Gjykatës së Posaçme, duke e konsideruar si një akt puçist, banditesk të narkoqeverisë dhe narkobashkisë.
“Por unë sot do të dënoj me forcën më të madhe aktin puçist, banditesk të narkoqeverisë dhe narkobashkisë Rama, të cilët morën peng për orë të tëra gjykatës dhe prokurorë të çështjes Veliaj. Rikthyen në Tiranë skenat e viteve ’80, kur Eskobari sulmoi gjykatën dhe aty pati viktima të tëra. Pas 40 e sa vitesh, Ediskobari kreu të njëjtin akt ndaj gjykatës dhe prokurorisë. Në historinë e botës ka pra vetëm dy raste, ka rastin Eskobar dhe rastin Ediskobar. Në historinë e botës ka me qindra raste protestash opozitare apo grupe interesi para gjykatave dhe prokurorive në çdo kryeqytet të botës. Por protestë shtetërore, protestë e organeve shtetërore, ajo përbën një grusht shteti brenda shtetit. Dhe e garantoj Edi Ramën dhe Erion Veliajn se ky krim antikushtetues do u regjistrohet atyre dhe do ndëshkohen në mënyrë shembullore që kujt të mos i shkojë mendja në pushtet të sulmojë pushtetin tjetër”, – deklaroi Berisha.
Kujtojmë se vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit për t’i caktuar Berishës “detyrim paraqitje”, u mor pas shqyrtimit të ankimimit të bërë nga dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët kërkonin rikthimin e “arrestit në shtëpi” për liderin demokrat.
Gjyqtari i Apelit nuk pranoi kërkesën e SPAK, por gjithashtu prishi edhe vendimin e GJKKO-së të marrë nga gjyqtarja Flojera Davidhi më 27 Nëntor, e cila i revokoi të gjitha masat e sigurisë ndaj Berishës.
Lideri i opozitës e ka cilësuar vendimin e Apelit si një sulm politik ndaj tij, të porositur nga kryeministri Edi Rama, në prag të fushatës zgjedhore.
Për dosjen “Partizani”, Berisha është marrë i pandehur për akuzën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër, ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij Jamarbër bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Sali Berisha, ndodhej në izolim që prej 30 Dhjetorit të vitit 2023, kur Gjykata e Posaçme vendosi t’i caktonte masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi lideri demokrat nuk zbatoi masën e mëparshme “Detyrim paraqitje”, duke e konsideruar si antikushtetuese.
Pas këtij vendimi, avokatët e Berishës, kishin bërë një sërë ankimimesh për t’i revokuar masën “Arrest shtëpie”, por kërkesat e tyre ishin rrëzuar si në Shkallën e Parë, po ashtu edhe në Apelin e Posaçëm.