Ilir Meta kërkon lirinë, Gjykata e Lartë vendos më 27 shkurt

Gjykata e Lartë, ka caktuar datën 27 shkurt për shqyrtimin e rekursit të paraqitur nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili kërkon një masë më të butë sigurie.

Seanca do të zhvillohet në dhomë këshillimi nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici, ku do të shqyrtohet edhe rekursi i deputetes Monika Kryemadhi.

Meta, i cili ndodhet në paraburgimin “Jordan Misja” që prej tetorit 2024, argumenton në rekursin e tij se si drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe në prag të zgjedhjeve të 11 majit, duhet të lirohet nga arresti.

Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie në lidhje me çështjet Cez-Dia, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit, kanë lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, duke e mbajtur Metën të izoluar për rreth katër muaj.

Ndërkohë, Kryemadhi, e cila ndodhet nën masën e “detyrimit për paraqitje”, ka depozituar rekursin e saj duke e konsideruar atë të paligjshëm.


Shtuar 16.02.2025 11:19