Presidenti i SHBA, Donald Trump ka dalë në një deklaratë për mediat në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me aksidentin tragjik, përplasjen e helikopterit me avionin në Uashington.
I veshur me një kostum blu të errët, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe, Trump kërkoi një moment heshtjeje për viktimat ndërsa u shpreh se helikopteri ishte në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar.
“Unë po ju flas këtë mëngjes në një orë ankthi për kombin tonë,” tha Trump. Ai konfirmoi se nuk kishte të mbijetuar dhe e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që ka tronditur shumë njerëz.
“Nuk ka të mbijetuar. Ne të gjithë jemi të thyer, është një tragjedi me përmasa të tmerrshme”, tha Trump.
Fjalimi i tij shpejt mori një kthesë politike, duke kritikuar administratat e mëparshme për standardet e kontrollorëve të trafikut ajror. Trump akuzoi ish-presidentët Barack Obama dhe Joe Biden për rekrutime bazuar në diversitet dhe përfshirje, duke e quajtur ish-sekretarin e transportit Pete Buttigieg një “katastrofë”. Ndërkohë, hetimet për aksidentin vazhdojnë.
Avioni, me 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit po kthehej nga Kansasi ndërsa helikopteri, i cili ishte në një fluturim stërvitor, kishte në bord tre ushtarakë.