Trupi i pajetë i Kryepeshkopit Anastas mbërrin sot në Shqipëri/ Dy ditë homazhe, të enjten mbahet ceremonia mortore

Trupi i pajetë i Kryepeshkopit Ansatas Janullatos, mbërrin sot në Tiranë. Nisja e arkëmortit u bë ditën e djeshme rreth orës 10:00 nga Katedralja e Athinës, ndërsa do të hyjë në territorin shqiptar përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.

Në Tiranë trupi i pajetë mbërrin sot rreth orës 16:00, ku do të zhvillohen homazhe për një periudhë dy ditore.

Kortezhi do të shoqërohet nga mitropoliti i Apolonisë dhe Fierit, peshkopi Krougias Anastasios dhe priftërinjtë Charalambos Giokas dhe Spiridon Topantzas, të cilët ishin bashkëpunëtorët dhe shokët e tij të ngushtë në ringjalljen e Kishës së Shqipërisë.

Ndërsa, në emër të Kishës së Greqisë, do të jetë i pranishëm nënkryetari i Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Nafpaktos dhe Agios Vlasios Ierotheos.

Gjatë rrugës do të ketë ndalesa në zonat që ai shërbeu dhe punoi për rindërtimin e Kishës Autoqefale shqiptare.

Ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e enjte në orën 11:00.

Mediat helene shkruajnë se Krkyeministri Kyriakos Mitsotakis, do të jetë në Tiranë të enjten për të marrë pjesë në funeralin për Kryepeshkopin e ndjerë Anastas Janullatos.

Kujtojmë se pas vdekjes së Kryepeshkopit Anastas Janullatos, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë shpalli zi kishtare për pesë ditë, nga 25 Janari deri më 29 Janar.


Shtuar 28.01.2025 08:09