Këtë të hënë, me anë të një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, reagoi në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Begaj u shpreh se, “krimet e përbindshme të gjenocidit, Holokausti ndaj hebrenjve, shfarosja e miliona njerëzve prej mizorisë dhe urrejtjes djallëzore ndaj njerëzve për shkak të besimit apo etnisë janë ana më e errët që rëndon përjetë ndërgjegjen e njerëzimit”.
“Ne përkujtojmë ato krime të tmerrshme në mënyrë që të mbeten në memorien tonë dhe të të gjithë botës si dëshmi e faktit se ku çon degradimi politik dhe verbimi pas ideologjive totalitare”, theksoi Begaj.
“Populli ynë dëshmoi në kohën e luftës se shpirti i tij mbeti i pastër, mbrojti dhjetëra hebrenj nga persekutimi apo zhdukja, duke u bërë shembull i mrekullueshëm për gjithë historinë tonë”, nënvizoi Begaj.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, lutemi për miliona viktimat e holokaustit dhe lutemi që kurrë më mynxyra të tilla të mos ndodhin”, përfundoi reagimin Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.