Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e 48-vjeçarit Lulzim Visha, i cili u gjet i pajetë brenda automjetit të tij.
Sipas asaj që raporton policia, tek makina e djegur është gjetur një armë dhe se targat rezultojnë të vjedhura në prill të 2023 në Kamëz.
Njoftimi:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë për vrasjen e shtetasit L.V., ju informojmë se:
Në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr, gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë është konstatuar i djegur një automjet tip “Porsche” i dyshuar i përdorur nga autori/ët e ngjarjes.
Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autori/ët.
Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz.
Vijon puna intensive nga grupi i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.