Kur kanë kaluar pak ditë nga zbulimi i një apartamenti sekret që përdorej nga Ajola Xoxa në zonën e ish-bllokut në Tiranë, agjentët e BKH-së dhe SPAK, tashmë kanë nisur “gjuetinë” për lokalizimin dhe gjetjen e banesave të tjera që përdoren nga çifti Veliaj-Xoxe.
Vetëm gjatë një kontrolli të dytë të një apartamenti që konsiderohej si sekret, SPAK sekuestroi dhjetëra dokumenta, prova të ndryshme dhe një shumë të konsiderueshme euro, pa përcaktuar shifrën e saktë si dhe janë hapur dy kasaforta.
Ky apartament është gjetur falë ekspertimit të telefonit të sekuestruar zonjës Ajola Xoxe, ku nga komunikimet e zhvilluara në disa aplikacione është mësuar për disa apartamente sekrete që Xoxe dhe Veliaj kanë në Tiranë.
I pari dhe më i lehti për tu gjetur nga SPAK, ishte pikërisht apartamenti që ndodhej mbi zyrën e kompanisë “Harabel” të Ajola Xoxes.
Ndërsa shtëpitë e tjera që ndodhen në Tiranë dhe ku mendohet se ekzistojnë prova, ende nuk janë lokalizuar nga hetuesit,megjithëse ata kanë nisur tashmë një skanim të informacionit për gjetjen e këtyre banesave.
Në datën 14 Janar 2025, ka dalë vendimi dhe rreth një orë nga dalja, oficerët e BKH, kanë vajtur te apartamenti.
Hetimi ndaj Erjon Veliaj, vëllait të tij Arbërit dhe bashkëshortes Ajola Xoxe, ka nisur nga SPAK në muajin Mars 2024, ku pas një letre të një personi anonim Anesti Angoni, është çuar informacion i hollësishëm për lëvizjet bankare dhe pasuritë e Veliaj, bashkëshortes dhe vëllait të tij.