Këtë të mërkurë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).
Kreu i Shtetit, përgëzoi Sekretarin e Përgjithshëm të RYCO në Shqipëri, si edhe drejtuesit lokalë për punën e deritanishme të kësaj organizate për ndërtimin e rrjeteve të bashkëpunimit ndërrinor në Ballkanin Perëndimor, nxitjen e ndërkulturalitetit, mendësisë së paqes, mirëkuptimit e bashkëpunimit.
Gjithashtu, presidenti Begaj inkurajoi Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor, të zgjerojë sipërmarrjen e nisur, që synon promovimin e fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit, si dhe bashkëpunimin e të rinjve përmes programeve të shkëmbimit, duke u shprehur: “E ardhmja është në duart e të rinjve. Ata kanë aftësitë dhe energjitë të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe për integrimin Euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”.