Njoftoi se nuk do të kandidojë për deputet, Agron Duka zbulon arsyen pse e mori këtë vendim

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, teksa ishte i ftuar në Euronews Albania, ka deklaruar se nuk do të kandidojë më në zgjedhje, duke e gjykuar këtë vendim si diçka pozitive, por duke mos lënë pas kontributin e tij në Shqipëri.

“Gjykoj që në një moshë dhe eksperiencë të caktuar, njerëzit mund të japin një kontribut edhe jashtë parlamentit, duke liruar vendin rrymave të reja të partive të tyre përkatëse.

Nuk ka asnjë interes për partinë Agrare Ambientaliste kur nga fushata në fushatë, çdo 4 vjet të gjithë përpiqen që të bëjnë kryetarin anëtar të parlamentit”, tha Duka.

Ndër të tjera, Agron Duka, shton se nuk do të lërë mënjanë kontributin e tij në vend me anë të fushatave.

“Kontributi im do të jetë maksimal në të gjithë Shqipërinë. Duhet një punë e madhe dhe se duhet marrë pozitivisht mos kandidimi im.

Duka ka theksuar se biseda me Berishën lidhur me këtë vendim ishte diçka normale dhe e mirëkuptueshme nga Kreu i PD.

“Sa i përket Berishës, jemi në proces të vazhdueshëm negociatash. Berisha nuk nguli këmbë që unë mos të kandidoj, thjeshtë kërkoi arsyen. Iu përgjigja që do bëj fushatë në gjithë Shqipërinë. Kontributi im do jetë më i madh në këtë mënyrë”, tha Agron Duka.


Shtuar 9.01.2025 12:52