Dëbora zbardh Kukësin/ Probleme me qarkullimin në zonat e thella, disa fshatra pa energji elektrike

Këtë të shtunë, Kukësi është zgjuar i zbardhur nga Dëbora. Në qytet trashësia nuk i ka kaluar 5 cm, por në zonat e thella trashësia ka arritur deri 40 cm duke sjellë edhe probleme për shumë banorë.

Zonat më të prekura nga bora në Kukës ngelen fshatrat Shkinak, Tërshen, Turaj, Xhafere, Kollovoz, Stanet e Novesojt e Arrën, ku lëvizja në këtë zona bëhet vetëm me mjete të larta, pasi trashësia e borës i kalon 40 cm.

Në Bashkinë Has janë fshatrat si Kishaj, Cahan, Muje e Pogaj që kanë probleme me lëvizjen për shkak të borës.

Një numër i madh banorësh, vijojnë të vuajnë mungesën e energjisë elektrike pas dëmtimit të linjave nga stuhia e borës.

Aktualisht, Njësitë Administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Surroj e Kolsh në Kukës, janë pa furnizim me energji.

Akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme, vende vende ka prezencë të akullit, si në lartësitë e qafave të maleve dhe është e nevojshme që drejtuesit e mjeteve të kenë goma dimërore ose zinxhirë.


Shtuar 4.01.2025 10:45