Ky është Kevin Hajrulla që u plagos mbrëmë, shënjestra e atentatit në Vlorë

Personi që shihni në foto, është 30-vjeçari Kevin Hajrulla, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme në Vlorë, pasi u qëllua me armë zjarri nga persona të paidentifikuar teksa ndodhej në automjetin e tij tip “Benz”.

Raportohet se 30-vjeçari është kushëriri i Inez Hajrulla, i njohur ndryshe si “i forti i Vlorës”.

Inez Hajrulla është një emër i njohur për policinë, pasi i ka shpëtuar disa atentateve në Vlorë.

Ai ka qenë shënjestër e dy atentateve, në vitin 2017 dhe 2019. Po ashtu, Inez Hajrulla ka qenë dy herë i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe është akuzuar për grabitjen e një kazinoje në vitin 2013.

Mendohet se Kevin Hajrulla, ishte shënjëstër e atentatit të djeshëm në Vlorë, ku fatkeqësisht mbeti i plagosur rëndë edhe 35-vjeçari Armand Spahiu, i cili shiste fruta-perime pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Njoftimi i policisë për ngjarjen:

Vlorë/ Informacion paraprak

Mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasi K. H., rreth 30-vjeç, i cili udhëtonte me një automjet tip “Benz”. Si pasojë e të shtënave, është plagosur me armë zjarri edhe shtetasi A. S., 35-vjeç, i cili ndodhej në afërsi në momentin e ngjarjes.

Të dy personat u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Vlorë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë krehjes së zonës në afërsi të fshatit Panaja, është bërë i mundur lokalizimi i automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, i cili është përfshirë nga flakët. Po punohet për shuarjen e zjarrit.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve të dyshuar.

Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.


Shtuar 19.12.2024 07:55