Gazetarja Ola Xama bëri një renditje të kallëzimeve që janë bërë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Xama tha se paditë nisin nga kallëzimi për inceneratorin inekzistent të Tiranës, te kompania 5D, lejet e ndërtimit dhe dyshime për lidhje me mafian italiane apo shembja e Teatrit Kombëtar.
“Erion Veliaj si kryetar i Bashkisë së Tiranës është disa herë i kallëzuar për inceneratorin e Tiranës. Është kallëzuar nga Belind Këlliçi për kompaninë “5D Contruksion” e drejtorëve të bashkisë që merrte tenderat nga vetë bashkia. Edhe Gjykata e Shkallës së Parë ka lënë të hetohet Veliaj. Kemi çështjen e Rindërtimit për prishjen e pallateve të vjetra për të favorizuar kompanitë e lidhura me ta si dhe ngritja e kompanitë publike “Tirana DC” që deri sot vetëm ka prishur 2.3 milionë euro.
Ka edhe një kallëzim që ka bërë Nisma Thurje për përgjimet e Ndragetës ku kanë folur për pastruar paratë me vlerën 180 milionë euro dhe janë dhënë 3 leje ndërtimi në Tiranë ku është përfshirë edhe Veliaj. Kallëzim ka patur edhe nga Aleanca për Teatrin për shembjen e Teatrit Kombëtar në vitin 2020. Ka qenë edhe një hetim për Sheshin “Skënderbej” ku përfituesi i kontratës ka qenë kompania “Fusha”, ku nënkryetarit të bashkisë iu sponsorizua edhe udhëtimi dhe fjetja në Spanjë. Ka qenë edhe kallëzimi për mbjelljen e pemëve anash autostradës Tiranë-Durrës, kur një pishë bëri 5500 euro, një kontratë 2.6 milionë euro që fitoi sërish kompania “Fusha”,” tha Xama.