Gazetarja shkon për inspektim pranë një shkolle në Tiranë, sulmohet me gurë nga nxënësit

Në Shkurt 2024 emisioni “Stop” bëri një vëzhgim në disa shkolla 9-vjeçare të kryeqytetit për shitjen e ushqimeve të pasigurta në kangjellat e shkollës. Pas 10 muajsh kthehemi, për të parë, se çfarë ka ndryshuar dhe shohim, se nuk është marrë asnjë masë. Në Shtator 2023, ish-ministrat Taulant Balla dhe Evis Kushi premtuan zgjerimin e perimetrit të sigurisë për shkollat, por këto masa mbetën vetëm në letër.

Nga vëzhgimi i sotëm, rezulton se nxënësit lejohen të dalin nga shkollat, ose shitës ambulantë lejohen të shesin ushqim përmes kangjellave. Mes shumë shkollave, që emisioni “Stop” pa ishte edhe “Gjon Buzuku”, ku nxënësit dilnin nga kangjellat të pashqetësuar nga prania e mësuesve apo rojes së institucionit.

Ekspertët Ndriçim Mehmeti kryetari i Punonjësve Socialë dhe Mirgit Vataj flasin për sigurinë në shkollë, ruajtjen e perimetrit, ushqimet brenda ambienteve të arsimit dhe se çfarë masash duhet të merren.

“Këtë vit shkollor ne na doli drejtori i Policisë së Tiranës, na doli shefja e AKU-së së Tiranës, drejtori i policisë bashkiake të Tiranës dhe thanë se ne do të marrim masa, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me perimetër sigurie, që është shkelur perimetri i sigurisë që bashkë e kemi thënë disa herë. Për të cilën duhet të raportojë oficeri i sigurisë, mësuesi kujdestar dhe drejtori e kështu me radhë dhe duhet të jetë një punonjës i AKU-së që nuk duket asgjëkundi. Këtu dihet të bëhet zbatimi i ligjit dhe secili të bëjë punën e vet për atë që paguhet. Kjo është në të mirë të prindërve, në të mirë të fëmijëve, kjo është në të mirë të shkollës dhe të komunitetit,” tha eksperti Ndriçim Mehmeti.

“Është vërtet një situatë shqetësuese sa i përket shitjes apo tregtimit të pijeve energjike apo me sheqer të shtuar dhe ajo çka është për të ardhur keq është se akoma nuk kemi një efektivitet në monitorimin dhe në evidentimin e gjithë këtyre rasteve. Ky është një moment shumë i rëndësishëm, duke filluar që nga shkolla, pjesa e ndërgjegjësimit të fëmijëve. Oficerët e shkollave të fëmijëve duhet të jenë shumë të vëmendshëm, pra nëse shikojnë që brenda shkollave brenda perimetrit apo në afërsi të perimetrit të shkollave ka tregtarë ambulantë, apo dyqane dhe markete, të cilët tregtojnë duhet t’i raportojnë, pra duhet të jenë në fokusin e tyre dhe çështja e pijeve energjike,” u shpreh Mirgit Vataj.

Por në një situatë të paprecedentë, nxënësit e “Gjon Buzukut”, pasi u kapën në gabim, sulmuan grupin tonë të xhirimit gjatë kohës, kur duhet të ishin nën përgjegjësinë e rojës, mësuesve kujdestarë, drejtoreshës dhe një oficeri sigurie.

Gazetarja: Kush gjuajti?

Nxënësit: Bionde vagabonde e ke radhën sonte.

Gazetarja: Më trego pak, çfarë ke aty brenda!

Nxënësi: Ik andej!

Gazetarja: Më trego pak, çfarë ke aty brenda!

Nxënësi: Hiqe kamerën, se…!

Gazetarja: Çfarë se?

Nxënësi: Hiqe kamerën, se ta futa shpullë!

Nxënësi tjetër: Ik të q…r…!

Nxënësi tjetër: Atë racën…!

(Hedhin kapsolla)

Nxënësi tjetër: Oj budallaqe, ik andej mos na çaj k…!

Nxënësi tjetër: A ta mor thikën?! Ta morr thikën, më vdektë motra! Me rob shpie e kam në klasë./tvklan.al


Shtuar 9.12.2024 22:19