Pasi grupi i njohur u TËRHOQ, kjo është këngëtarja që do të përfaqësojë Malin e Zi në “Eurovision”

Nina Zizic u zgjodh përfaqësuesja e re e Malit të Zi në Eurovision pas tërheqjes së grupit NeonoeN. Ky informacion është publikuar në profilet zyrtare të Montesong. Ajo do të përfaqësojë vendin e saj me këngën “Dobrodosli”. “Nina, paç fat! Qofshi të lumtur, përgatitjet fillojnë së shpejti”-kanë shkruar ata.

Kjo nuk është hera e parë që Nina konkurron në Eurovision. RTCG njoftoi në dhjetor të vitit 2012 se “Who See” do të përfaqësojë Malin e Zi me një këngëtare ‘misterioze’. Më vonë u njoftua se ishte Nina. E njëjta performoi këngën “Igranka”. Fituan 41 pikë dhe përfunduan në vendin e 12-të. Në vitin 2021, ajo ishte anëtare e jurisë për përzgjedhjen e këngës malazeze për Eurovision Song Contest 2022. Ajo e filloi karrierën e saj në vitin 2004 me grupin Negre.

Ndërkaq, grupi NeonoeN fitoi ‘Montesong’-un e mbajtur së fundmi me këngën “Clickbait”, ndërsa së fundmi njoftuan ndjekësit se po tërhiqen nga konkursi. Ditët e kaluara pritej një vendim nëse grupi do të skualifikohej përfundimisht, sepse versionin punues të këngës e kishin performuar para konkursit aktual. Grupi beson se nuk i kanë shkelur rregullat, për shkak se kënga nuk është transmetuar duke theksuar se versioni i këngës që është interpretuar live nuk është identik me atë të prezantuar në ‘Montesong’.

“Në interesin më të mirë të publikut, me dëshirën për t’i dhënë fund pasigurisë dhe për të kontribuar sërish në muzikën për të cilën jemi këtu në radhë të parë, ju njoftojmë se vullnetarisht po tërhiqemi nga pjesëmarrja në Eurovizion. Sipas rregullores, RTCG do të zgjedhë një përfaqësues tjetër dhe ne do të jemi të parët që do t’i urojmë fat dhe do t’i japim mbështetje të plotë”-njoftoi grupi në rrjetet sociale.

Rikujtojmë se Bazeli në Zvicër do të jetë qyteti pritës i Eurovision Song Contest. Pas fitores së këngëtarit zviceran Nemo në Malmö në konkursin e këtij viti në Suedi me këngën e tyre ‘The Code’, vendi mori përsipër detyrat e pritësit për vitin 2025. Është hera e tretë që Zvicra fiton konkursin, pas Lys Assia në 1956 dhe Céline Dion në 1988. Transmetuesi pritës SRG SSR dhe EBU do të presin konkursin e 69-të të këngës në Eurovision në maj 2025.


Shtuar 9.12.2024 14:18