Trump rikthen shpresat në Kosovë e Serbi

Këto ditë Beogradi dhe Prishtina nuk pajtohen për shumë gjëra, por të paktën për një gjë janë dakord.

Sipas portalit prestigjoz Politico, Vuçiç e Kurti e shohin rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë me 20 Janar si një mundësi për uljen e tensioneve në Ballkanin Perendimor.

Optimizmi i tyre, thuhet në këtë shkrim, nuk është i pabazë pasi gjatë administratës së parë Trump, SHBA-të bënë përpjekje të konsiderueshme diplomatike për të promovuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç argumenton se administrata e parë e Trump injektoi “ide të reja” në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Gjuriç thekson se ndihma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të gjata në Ballkan do të kishte një domethënie për Shtetet e Bashkuara.

“Unë shpresoj se do të jemi në gjendje të tërheqim vëmendjen e administrates së re, të drejtuar nga presidenti Trump. Administrata e dytë e drejtuar nga republikanët përfaqëson një mundësi të re për të rigjallëruar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe po ashtu si një mundësi për të ulur tensionet në Ballkanin Perëndimor. Një qasje e re amerikane do të ishte e mirëseardhur per serbët dhe shqiptarët. Ka një padurim të sinqertë në popullin serb për të krijuar një lloj të ri marrëdhëniesh me Shtetet e Bashkuara”.

Gjuriç adreson një ftesë për Trump pasi sipas tij asnjë president amerikan që nga Jimmy Carter nuk e ka vizituar Beogradin.

Ndër hapat pozitivë të ndërmarra nga administrata në largim e Biden, Gjuriç permend emërimin e diplomatit veteran Chris Hill si ambasador i SHBA-së në Serbi si dhe përpjekjet për të forcuar lidhjet midis Serbisë dhe Kroacisë.

Komentet e Gjuriçit vijnë në një kohe kur janë rishfaqur tensionet pasi nga një shpërthim i fuqishëm në veriun e Kosovës, i populluar kryesisht nga serbë etnikë, u ndërpre furnizimi me ujë dhe energji për shumicën e qytetarëve të vendit.

Kosova akuzoi Serbinë për këtë akt, ndërsa Beogradi kërkon hetim nderkombtar.

Nën administratën e parë Trump, SHBA-ja investoi burime të konsiderueshme diplomatike për të promovuar dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Trump emëroi Richard Grenell si të dërguar të posaçëm në rajon dhe ai gjithashtu priti Vuçiç dhe ish kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti në një takim trepalësh në Shtëpinë e Bardhë në Shtator 2020.

Në Zyrën Ovale, të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje që normalizon lidhjet ekonomike por që u hodh në kosh nga Albin Kurti.

Gjithsesi nuk ka asnjë indikacion se Ballkani Perendimor është në qendër të vëmendjes së zyrtarëve të administratës së re të udhëhequr nga Donald Trump.

Presidenti i zgjedhur ka folur kryesisht për Rusinë, Kinën dhe Lindjen e Mesme.


Shtuar 7.12.2024 23:18