PAMJET/ Bora zbardh Tomorin, pamjet piktoreske të malit

Reshjet e dëborës kanë mbuluar malin e Tomorit duke ofruar një pamje piktoreske.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në rrjetet sociale foto nga Tomori nën petkun e dëborës, i cili me bukurinë e tij fton të apasionuarit pas alpinizmit të kalojnë një ditë ndryshe në peizazhin e bardhë të kësaj lartësie.

Në malin e Tomorit në lartësinë 2417 m mbi nivelin e detit ndodhet edhe Tyrbja e Abaz Aliut, e cila është një destinacion turistik për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh.

Kujdesi i treguar nga Administrata e këtij parku në menaxhimin e mjediseve turistike dhe të shoqërimit të vizitorëve me guida turistike që njohin shtigjet dhe vendet e kalueshme për në hapësirat turistike të Tomorit, kanë bërë që ky park të vizitohet në çdo stinë të vitit.

Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurierë të raftingut në kanionet e Osumit.

Nën këmbët e Tomorit, rrjedh Lumi Osum që duke zbritur nga terrene tepër malore ka krijuar kanionet e famshme të tij tepër të vizituara, sidomos gjatë stinës së verës.

Por, jo vetëm kanionet, në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të feve kristiane e bektashiane dhe monumente të natyrës dhe të kulturës.


Shtuar 7.12.2024 11:25

Tags: ,