Fyerjet mes Braçes e Zhupës, Task Forca Kundër Dhunës ndaj Grave në Politikë: Dialogu, rruga e vetme për të ecur përpara

Task Forca Kundër Dhunës ndaj Grave në Politikë ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar dhe fyerjet e përdorura ditën e enjte në Kuvend nga deputetët Ina Zhupa dhe Erjon Braçe.

Në një postim në rrjetet sociale, bëhet thirrje për kujdes në komunikim, duke apeluar për të zgjehdur dialogun si mënyrën kryesore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

MESAZHI I PLOTË:

Thirrje për Kujdes në Komunikim dhe Dialog!

Në kushtet e tensioneve të shtuara politike, Task Forca Kundër Dhunës ndaj Grave në Politikë u bën thirrje deputetëve dhe institucioneve më të larta që të zgjedhin komunikimin dhe dialogun si mënyrën kryesore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. I ftojmë të gjithë aktorët politikë që të zhvillojnë një komunikim paqësor dhe me respekt, duke nxitur bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.

Dënojmë me vendosmëri çdo formë dhune, qoftë ajo verbale, psikologjike apo fizike, duke theksuar se dhuna minon vlerat demokratike dhe pengon përparimin e shoqërisë sonë. Le të punojmë së bashku për të krijuar një mjedis ku mosmarrëveshjet zgjidhen përmes diplomacisë, respektit dhe mirëkuptimit.

Dhuna nuk ka vend në politikë, dialogu duhet të jetë rruga e vetme për të ecur përpara.

Task Forca Kundër Dhunës ndaj Grave në Politikë. 


Shtuar 7.12.2024 10:54

Tags: ,