Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho prezantoi sot në Kuvend 5 amendamente në buxhetin e vitit 2025 në mbështetje të pensionistëve dhe të rritjes së buxhetit për arsimin.
Duke argumentuar amendamentet e paraqitura, Xhixho tha një nga amendamentet ka të bëjë me pensionistët që janë kategoria më e diskriminuar që jeton në mjerim.
“Rritja e pandalshme e çmimeve përfshirë edhe e barnave kanë bërë në jo pak raste që trajtimi mjekësor bazë të jetë pothuajse i pamundur. Si forcë e majtë që presupozoni të jeni, këtë kategori të nderuar që kanë kontribuar me vite për këtë vend do të duhet t’i kishit dhënë dinjitetin e merituar me buxhet dhe pension dinjitoz”, tha Xhixho.
Sipas saj, “në 12 vite ka zero rritje të pensioneve edhe pse këta pensionistë janë në fakt njerëzit më besnikë, pro nuk kanë qenë kurrë prioritet”.
“Edhe në vitin 2025 pensionistët duhet ta kenë të qartë që edhe pse jepet një bonus sa herë ka zgjedhje, një lëmoshë, përsëri nuk do të ketë rritje të buxhetit për pensionet. Ne propozojmë që shifra qesharake që jepni ju të dhjetëfishohet në masën 16.2 miliardë lekë për pensionistët”, tha Xhixho.
Duke paraqitur amendamentet për arsimin, Xhixho tha se për arsimin bazë propozohet shtesë 1.5 miliardë lekë, për arsimin e mesëm 1.2 miliardë lekë, për arsimin e lartë 1 miliard lekë shtesë, 2 miliard lekë shtesë për kërkimin shkencor”.