Modelja e njohur braziliane Luciana Curtis, bashkëshorti dhe djali i tyre i vogël, u rrëmbyen nga një bandë kriminale pas një darke në një restorant në Brazil. Ngjarja ndodhi të mërkurën, kur disa persona të maskuar i detyruan me armë të hipnin në makinë dhe i çuan në një kasolle të braktisur në periferi të qytetit.
Familja u mbajt peng gjatë natës, nën kërcënimin e armëve, ndërsa banda kërkoi një shumë prej 31 mijë eurosh për lirimin e tyre. Pas transferimit të parave, pengjet u lanë të lira. “Jemi mirë fizikisht, por kjo ngjarje ka qenë shumë e rëndë për Lucianën,” thanë të afërmit e saj.
Luciana Curtis, lindur në Sao Paulo nga një baba britanik dhe një nënë braziliane, u zbulua si modele adoleshente. Karriera e saj shpërtheu në vitin 1993 kur fitoi konkursin “Supermodel of the World” në Brazil. Ajo ka pozuar për revista si Glamour, Cosmopolitan dhe Marie Claire dhe ka punuar me marka prestigjioze si Victoria’s Secret, H&M dhe L’Oreal.