Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë/ Noka i drejtohet Spiropalit: 24 orë më përpara, në atë shkollë keni mbajtur leksion për sigurinë

Ditën e sotme, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, janë përplasur për vdekjen e 14-vjeçarit para shkollës ”Fan Noli” ditën e djeshme.

”24 orë më përpara në atë shkollë keni mbajtur leksion për sigurinë’‘, i tha Noka-Spiropalit.

Noka: Këtu ka 24 orë që në të gjithë mediat pasqyrohet vrasja e një 14-vjeçari.
Ka 24 orë që i gjithë opinioni publik është i shokuar.

Dhe ju të gjithë që jeni atje, duke filluar të gjithë ministrat, që nga ky hajduti i bashkisë e duke përfunduar deri tek ajo që kishte burrin bandit dhe therte njerëzit, heshtni a thua se nuk ka ndodhur gjë në këtë vend.
Tani zonjë, kërkoi kolegu një minutë heshtje.

Është tragjike zonjë, sepse 24 orë më përpara në atë shkollë keni mbajtur leksion për sigurinë.
E gjithë drejtoria e shkollës ka pasur informacion për ngjarjen.

Edhe punonjësit e policisë që mbulojnë zonën kanë pasur informacion dhe askush nuk dashur t’ia dijë, sepse ju i bëni gjërat për shou.

Mbrëmë në mesnatë u vra një i ri, i biri i një gjyqtari që ka dhënë dënime me burgime të përjetshme për krimin.

I biri i një gjyqtari që ka dënuar dhjetëra kriminale dhe që ju, drejtësia juaj, e flaku në rrugë vetëm se nuk ishte lëpirës i juaji dhe i bandës që ju keni çuar në krye të drejtësisë.

Dhe këtu sikur nuk ndodh asgjë.

Pse ndodhin këto?

Sepse drejtori i përgjithshëm i policisë është ushtar i krimit.
Keni çuar drejtor të policisë së Tiranës një ushtar të krimit të organizuar.
Prandaj krimi bën kërdinë.

Nuk ka turp më të madh zonjë se deputetët të kërkojnë një minutë heshtje për vrasjen e një fëmije dhe ju këtu të rrini ulur.
Ju rrini mbi kufomat e njerëzve.

Ju rrini mbi gjakun e njerëzve në pushtet.

Kjo është fytyra juaj.


Shtuar 19.11.2024 13:25