Vrasja e 28-vjeçarit Klajdi (Klaudio) Prendi në Tiranë/ Detaje nga ngjarja e rëndë

Krimi i rëndë mafioz ka tronditur sërish Tiranën, ku 28-vjeçari Klajdi (Klaudio) Prendi mbeti i vrarë pasi u ekzekutua me armë zjarri silenciator, në zonën e njohur të “Xhamllikut” në kryeqytet.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:40, ndërsa viktimë e atentatit ka mbetur shtetasi i identifikuar si Klaudio Prendi ,i cili sapo ka dolë nga lokali është qëlluar me 5 plumba në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.

Klajdi Prendi, u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, por si pasojë e plagëve të marra nuk ka arritur të mbijetojë.

Ndërkohë, një orë pas ngjarjes në zonën e Farkës është gjetur edhe një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve.

Kush është Klaudio Prendi?

I riu nga Puka nuk është një emër i panjohur për policinë. Në maj të një viti më parë, Klajdi Prendi gjatë fushatës për zgjedhjet locale, ai qëlloi në Pukë me armë zjarri.

Klajdi Prendi, është djali i ish-gjyqtarit, Fran Prendi.

Fran Prendi, ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në ish-Gjykatën për Krimet e Rënda prej vitit 2006, detyre që e vijoi për një vit edhe në Gjykatën e Posaçme.

Në nëntor të vitit 2020, ai u largua nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, pa kaluar në filtrat e vetingut.

Firmën e tij si kryesues e mbajnë dhjetëra vendime gjyqësore, mes të cilave ai ndaj Emiliano Shullazit dhe grupit të tij në vitin 2018, si edhe ndaj Salvatore Lettizias, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015.

Çfarë njofton policia për ngjarjen?

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ekzekutimin e 28-vjeçarit, Klajdi (Klaudio) Prendi. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar policia e cila bën me dije se ngjarja ka ndodhur  rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko”.

Më tej, bëhet me dije se ndaj 28-vjeçarit dyshohet se është qëlluar me armë zjarri. I riu është  transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Gjithashtu, policia në njoftim bën me dije se rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës, është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”.

Në lidhje me ngjarjen vijojnë hetimet  zbardhjen e plotë të vrasjes dhe kapjen e autorëve.

“Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko” , dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”. Një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar”, njofton policia.

Por si ndodhi krimi i rëndë?

Në zonën e Xhamllikut, pak pas mesnate (19 nëntor) autorë ende të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri me silenciator në drejtim të të riut, Klajdi (Klaudio) Prendi.

Mësohet se 28-vjeçari është mbajtur nën vëzhgim dhe monitorim nga autorët, të cilët kanë pritur momentin kur iriu është futur në automjetin e tij G-Class.

Sapo viktima është futur në makinë, e kanë qëlluar me armë zjarri me silenciator. Drejt tij është qëlluar me 5 plumba.

Prendi u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, por si pasojë e plagëve të marra ai ka ndërruar jetë.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në bizneset dhe objektet pranë vendit të ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e rrethanave të këtij atentati si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.


Shtuar 19.11.2024 09:24