43-vjeçari Baki Huqi është një ndër personat e arrestuar nga Policia e Shtetit, më kërkesë të SPAK në lidhje me një operacion ndërkombëtar antidrogë që është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Tiranë, Durrës dhe Nikël.
Huqi rezulton të jetë i arrestuar më herët, nën akuzë për vrasjen e Festim Lemjas, së bashkë me dy persona të tjerë. Po ashtu ai rezulton i dënuar para vitit 2013.
Kujtojmë se një laborator i sofistikuar për përpunimin e kokainës është zbuluar në fshatin Qerekë, Fushë Krujë, kurse nga kontrollet në Tiranë dhe Durrës anë identifikuar ambiente ndihmëse, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale.
Shtetas shqiptarë të arrestuar në operacionin e SPAK:
1- Geis Sejfullai, 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajd Birçe, 40 vjeç, banues në Tiranë
3- A.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
5- Aldi Zonja, 37 vjeç, banues në Tiranë
6- I.A., 51 vjeç, banues në Shkodër
7- Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj të arrestuar në operacionin e SPAK:
1- Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
2- Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
3- Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian
Si vinte droga e papërpunuar në Shqipëri dhe si vepronte ky grup kriminal
Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara.
Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës. Ky rrjet shfaqte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal.
Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian.
Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës.
Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.
Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.