Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se Greqia e goditur nga zjarret është përballur këtë vit me kushtet më të këqija të motit në katër dekada. Sipas raporteve të Kombeve të Bashkuara, rajoni i Mesdheut është përcaktuar nga shkencëtarët si një pikë e nxehtë e ndryshimeve klimatike, me ngrohje më të lartë se mesatarja globale. Greqia është goditur vazhdimisht nga valët përvëluese të të nxehtit dhe zjarret shkatërruese çdo verë.
“Ne prisnim një vit shumë të vështirë për sa i përket klimës, ishte më i vështiri në 40 vitet e fundit sipas të dhënave nga të gjithë shkencëtarët, përfshirë ato nga monitoruesi kombëtar i klimës”, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis në parlament.
Ai vuri në dukje temperaturat vazhdimisht më të larta se mesatarja, thatësirën , erërat e forta, duke shtuar se Greqia duhet të përballet me pasojat e ndryshimeve klimatike. Deri më tani, numri i zjarreve ka arritur në 9,101, nga 7,163 vitin e kaluar, 44,000 hektarë tokë është djegur, tha kryeministri gjatë një debati parlamentar për këtë çështje.
Zjarret në pyje filluan më herët se normalisht këtë vit. Zjarre masive u regjistruan që në mars, në veri të vendit. Greqia përjetoi verën me të nxehtë, njoftuan autoritetet në shtator, me valë të të nxehtit në qershor dhe temperatura rekord gjatë verës. Qershori dhe korriku ishin muajt më të ngrohtë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1960. Më shumë se 20 njerëz vdiqën nga zjarret në pyje në Greqi vitin e kaluar.