Neymar është kthyer, minutat e para me Al Hilal një vit pas dëmtimit

Më në fund Neymar është kthyer. Kampioni brazilian u rikthye në fushë më shumë se një vit pas dëmtimit shumë të rëndë që e goditi në fillim të sezonit të kaluar.

Ai, në fakt, ishte rregullisht në dispozicion të trajnerit Jorge Jesus për ndeshjen e Ligës së Kampionëve të Azisë ndërmjet Al Hilalit dhe Al Ain dhe hyri në lojë në minutën e 77-të të një ndeshjeje të çmendur, e cila përfundoi 5-4 në favor të klubit saudit (shënoi edhe Milinkoviç-Savic) pas më shumë se një çerek ore kohë shtesë.

Natyrisht, do të duhet kohë për ta parë rregullisht në fushë, duke marrë parasysh ndalesën e gjatë: “Ai është ende duke rikuperuar formën e tij fizike dhe po punojmë hap pas hapi derisa të kthehet në lojëra në një nivel të lartë”, ishin fjalët e trajnerit portugez në konferencën për shtyp – Ai duhet të punojë ende, por gjithnjë e më shumë po e gjen formën e tij”.

Paraqitja e fundit e Neymar daton në 3 tetor 2023, në Ligën e Kampionëve të Azisë, kundër iranianëve Nassaj Mazandaran: një gol në fitoren 3-0 jashtë fushe. Më pas dëmtimi që e ktheu vitin e tij të fundit në një kalvar, deri në këtë moment që përfaqëson një çlirim të vërtetë për të.

Braziliani festoi rikthimin e tij në rrjetet sociale para ndeshjes: “I lumtur që e ndjej përsëri këtë ndjenjë, fluturat në stomak para ndeshjes janë gjithmonë një gjë e mirë… Qoftë një rikthim i shëndetshëm! Zoti na bekoftë”.


Shtuar 21.10.2024 22:22