Policia e Kosovës ka raportuar një tjetër provokim nga Serbia. Rreth orës 18:20, pranë stacionit policor kufitar në Merdar, në anën serbe, është vërejtur një makinë e tipit “Land Rover” me targa serbe, e cila dyshohej të ishte në pronësi të xhandarmërisë serbe. Sipas Policisë së Kosovës, brenda makinës gjendeshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, të cilët qëndruan për rreth 10 minuta pranë hyrjes së objektit të palës serbe.
“Pasi qëndruan në këtë zonë, pjesëtarët e xhandarmërisë serbe u larguan duke shkelur vijën ndarëse kufitare, një veprim që përbën shkelje të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM)”, njofton policia.
Ky veprim duket të jetë një përpjekje për provokim ose krijim të ndonjë incidenti ndërshtetëror. Policia e Kosovës ka kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare që të ndërhyjnë dhe të ndërmarrin masa të nevojshme për të ruajtur stabilitetin dhe për të siguruar respektimin e marrëveshjeve që lidhen me menaxhimin e integruar të kufirit dhe sigurinë.