Klodiana Lala ka folur për dorëheqjen e deputetit të PS, Jurgis Çyrbja, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve parlamentare. Ish deputeti u paraqit në SPAK para dy ditësh, ndërkohë që njoftoi dorëheqjen ditën e sotme (10 tetor).
E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Lala tha se Çyrbja nuk i duhej më Ramës dhe se është detyruar të dorëhiqej. Gazetarja deklaroi se sipas burimeve të saj, Çyrbja do të merret i pandehur nga SPAK.
“Ju thoni dha dorëheqjen, nuk mendoj se e ka lënë mandatin, mendoj se e kanë detyruar të shkojë drejt një vendimi të tillë. Nuk e lidh fare me Prokurorinë e Posaçme.
Unë e kam ekspozuar Jurgis Çyrbjan në vitin 2017-2018, me biseda të një grupi të struktuar kriminal me një nga njerëzit më të besuar të Shullazit.
Lobe të fuqishme brenda PS duan të zaptojnë qarkun e Durrësit dhe Çyrbja nuk iu duhej ferrë nëpër këmbë. Mendoj se ka një lojë të pistë dhe të thellë që Çyrbja të mos ishte pjesë e Parlamentit. Ta them për shumë arsye. E kam parë hetimin që po kryhet ndaj Jurgis Çyrbjas, ai është kallëzuar nga Paloka, është kallëzim që ka të bëjë me mbivendosjen e pronave kur ai drejtonte hipotekën e Durërsit. Mendoj se është një prapaskenë dhe lojë e pistë i grupimeve dhe lobeve në Durrës.
Është kallëzuar para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, tani jemi në 2024. Në 2024, një ditë të bukur thirret në prokurori. Pra dikush dhe mendoj se Ramës nuk i duhet më Çyrbja. Bëhet fjalë për katër praktika që po hetohen. Jurgis Çyrbja, jo më larg se ditën e nesërme do të thirret si person nën hetim dhe do të merret i pandehur.
Por, kjo paralajmëron, largimi i tij nga Parlamenti, do të kuptosh çfarë do të ndodhë në qarkun e Durrësit. Dorëheqja e tij do të zbulojë shumë pjesë të errëta.
Burimet e mia të besuara thonë se do të thirret ditën e nesërme.
E shoh pak më të thellë, situate në Durrës është më e vështirë se në 2021 dhe krimi i organizuar do të jetë shumë më agresiv. Mendoj se Çyrbja nuk i duhet më Ramës, thotë nuk dua një ferrë nëpër këmbë”, tha Lala.