Me dhjetëra familje në fshatin Moravë në Bashkinë Dimal, mënyrën e vetme të jetesës kanë bujqësinë. Kjo zonë njihet për prodhimet e saj bujqësore, megjithëse vitet e fundit vihet re një neglizhencë e fermerëve për të shtuar të mbjellat e tyre ose për të punuar tokat, për shkak të problematikave të shumta që fermerët po hasin nga dita në ditë, që nga mungesa e tregut për shitjen e produkteve bujqësore, mungesa e fuqisë punëtore, dëmet e përvitshme të shkaktuara nga moti etj.
Avni dhe Xhevaire Ferra, çifti i bashkëshortëve që para disa vitesh lanë emigrimin në shtetin grek dhe zgjodhën që ato pak para që kishin siguruar nga puna e tyre në bujqësi t’i investonin në tokën e tyre në fshatin Moravë, pohojnë se janë penduar që janë kthyer në vendin e tyre.
Çifti Ferra, edhe pse në moshë të madhe, kujdesen të dy për serën, në pamundësi për të marrë e paguar një punëtor, ndërsa pohojnë që i ka munguar dhe mbështetja me grante nga ana e institucioneve, pasi përgjatë këtyre viteve ata nuk kanë përfituar asgjë nga skemat e mbështetjes me subvencioneve.
Sikurse shprehet Avniu, kostot e mirëmbajtjes së një sere janë të larta, ndërsa luhatja e çmimeve dhe mungesa e tregut ka bërë që fermerët të ndihen të pasigurt.
“Shpenzimet për serën janë të larta, deri tani kemi vjelë 30 kuintal domate dhe nuk kemi arritur akoma të mbulojmë shpenzimet, po u ul çmimi i domates (që varion me ditë) ne dalim me minus. Në 12 vjet kam hedhur 23 milion lekë në këtë serë dhe s’kam marrë as lekët e mia. Punojmë në serë vetëm të dy ne, burrë e grua pasi nuk kemi lekë të marrim punëtorë. Nuk kemi asnjë mundësi tjetër përveç serës e bujqësisë për t’u ushqyer dhe duke parë si shtypet fermeri nga shteti jemi bërë shumë pishman që jemi kthyer në Shqipëri”, shprehen Avni dhe Xhevaire Ferra.
Një tjetër fermer, Lavdrim Metani, pohon se ka hequr dorë nga bujqësia pasi nuk ka treg dhe nuk shitet asgjë. Ai deklaron se i ka lënë tokat pa mbjellë prej dy vitesh, si shumë fermerë të tjerë të zonës, pasi prodhimet nuk kanë gjetur treg dhe janë hedhur kanaleve, pasi janë kalbur në arë.
Siç thotë ai, tashmë mbjell vetëm sa për vete pasi mungesa e tregut, mungesa e mbështetjes nga ana e qeverisë si dhe breshëri i rënë çdo vit, ka falimentuar jo vetëm atë por të gjithë fermerët e fshatit Moravë.
Thuajse çdo vit, fermerët e fshatit Moravë hasin problematika të shumta gjatë periudhës së dimrit për shkak të motit, ku përgjatë viteve të fundit breshëri dhe stuhitë kanë shkaktuar dëme të mëdha në tokat bujqësore të kësaj zone.