Në kuadër të operacionit policor të koduar “Befasia”, uniformat blu në Tiranë, kanë vënë në pranga një 30-vjeçar, pasi lëvizte me armë me vete në makinë.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.
Sakaq, sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak, vihet në pranga poseduesi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me ato të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ditën e djeshme kanë siguruar informacion nga inteligjenca informative se me një automjet tip “Audi” të blinduar, me targa gjermane, qarkullonte një shtetas dyshohet i armatosur. Bazuar në këto informacione është organizuar puna për kapjen e tij dhe është finalizuar operacioni policor i koduar “Befasia”.
Në rrugën “Bajram Curri” shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin tip “Audi” me drejtues shtetasin K. L., të cilit gjatë kontrollit fizik i gjetën një armë zjarri pistoletë me krëhër e municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale se bashku me automjetin dhe një aparat celular.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi K. L., 30-vjeç, banues në Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet i kaluan Prokurorisë.