Muajin e ardhshëm Shqipëria do të nisë diskutimet për kapitullin e parë të anëtarësimit në BE, atë për të drejtat themelore. Lajmin e ka dhënë në parlamentin hungarez komisioneri për zgjerimin, ende në detyrë, Oliver Varhelyi në kryeqytetin hungarez Budapest gjatë Konferencës Ndërparlamentare për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP).
Para deputetëve Varhelyi deklaroi se Shqipëria ka bërë reforma të thella, veçanërisht në drejtësi, ndërkohë që nuk ka kushte nga vendet anëtare të BE-së.
Komisioneri njoftoi gjithashtu ndarjen e vendit tonë nga Maqedonia e Veriut, e cila nuk po arrin që të miratojë ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Bullgaria, kusht për të cilin Brukseli nuk mund të tolerojë qeverinë e djathtë në pushtet në Shkup.
Oliver Varhelyi, Komisioneri për Zgjerimin në BE: Tani çështja që kemi përpara nuk është nëse do t’i pranojmë shtetet ballkanike në familjen evropiane, por kur do të ndodhë kjo. Sa më shpejt t’i integrojmë plotësisht këto vende, aq më i fortë dhe më i qëndrueshëm do të jetë stabiliteti në kontinentin tonë. Në këto vite kemi marrë vendime të rëndësishme për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke mbajtur me to konferencat e para ndërqeveritare.
Shpresoj që muajin e ardhshëm të hapim kapitullin e parë të negociatave për çështjet bazë me Shqipërinë dhe ndoshta edhe me Maqedoninë e Veriut, në varësi të miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Ne kemi hartuar dhe zbatuar instrumente si plani i rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh për të përshpejtuar integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Optimizëm për fillimin faktik të negociatave për kapitujt e parë të anëtarësimit ka shfaqur edhe kryediplomati Hasani një ditë më parë, duke iu referuar relaksimit të marrëdhënieve me Greqinë pas daljes nga burgu të Fredi Belerit. Pritet që Athina të mos kundërshtojë mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare në muajin tetor, ndërsa çështja e pronave të minoriteteve do të monitorohet vazhdimisht gjatë procesit të negociatave.
Komisioneri Varhelyi tha se tashmë shtetet e Ballkanit kanë paraqitur planet e tyre për agjendat e reformave dhe ato do të vlerësohen individualisht në bazë të arritjeve.