Kombëtarja e Shqipërisë stërvitet në Pragë, nis përgatitjet për ndeshjen me Gjeorgjinë

Pas fitores 2-1 ndaj Ukrainës, Kombëtarja shqiptare ka filluar menjëherë përgatitjet për sfidën e dytë në Nations League kundër Gjeorgjisë.

Kuqezinjtë zhvilluan një seancë stërvitore në mëngjesin e së shtunës në qendrën stërvitore të klubit Sparta Prague.

Lojtarët që ishin titullarë në ndeshjen kundër Ukrainës u përfshinë vetëm në disa ushtrime fizike pa top, ndërsa ata që nuk u aktivizuan ose u futën si zëvendësues, u përfshinë në stërvitje më intensive dhe taktike.

Sipas Departamentit të Komunikimit të FSHF-së, seanca stërvitore zgjati rreth një orë dhe të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë fizike, pa probleme. Kombëtarja pritet të arrijë në Tiranë këtë pasdite dhe do të akomodohet menjëherë në hotel.

Përgatitjet për ndeshjen me Gjeorgjinë do të përfundojnë nesër. Fillimisht, trajneri Silvinjo do të mbajë konferencën për shtyp në stadiumin “Air Albania” në orën 18:30.

Pas konferencës, skuadra do të zbresë në fushë për seancën e fundit stërvitore.

Ndeshja Shqipëri – Gjeorgji do të zhvillohet të martën, më 10 shtator, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”. Mbështetja për ekipin do të jetë maksimale, pasi pothuajse të gjitha biletat janë shitur.


Shtuar 8.09.2024 14:16