Rregullorja e re/ Nuk ulen penalitetet për tërheqjet e parakohshme nga fondet private të pensioneve

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), miratoi së fundmi rregulloren “Për përcaktimin e penaliteteve të zbatuara në rastin e tërheqjes së parakohshme nga fondi i pensionit privat”.

AMF përfundimisht, është tërhequr nga ndryshimet e propozuara në versionin e hedhur për konsultim publik dhe ka lënë në fuqi penalitetet e parashikuara në rregulloren aktuale.

Sipas rregullores, penaliteti do të jetë jo më pak se 2% dhe jo më shumë se 5% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer pas 20 vitesh nga data e kontributit të parë; jo më pak se 5% dhe jo më shumë se 10% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore që fillon, pas 10 vitesh nga data e kontributit të parë deri në 20 vjet, përfshirë edhe vitin e 20-të; jo më pak se 10% dhe jo më shumë se 15% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore që fillon, pas 5 vitesh nga data e kontributit të parë deri në 10 vjet nga data e kontributit të parë, përfshirë edhe vitin e 10-të; jo më pak se 15% dhe jo më shumë se 20% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore deri në 5 vjet nga data e kontributit të parë, përfshirë edhe vitin e pestë.

Në variantin e hedhur për konsultim publik në fillim të këtij viti, AMF propozonte penalitet deri në 15% të aktiveve të tërhequra, për çdo tërheqje të parakohshme të kryer në periudhën kohore nga data e kontributit të parë, deri në 5 vjet, përfshirë edhe vitin e pestë.

Kjo masë penaliteti propozohej të zbatohej për shoqëritë administruese, të cilat aplikojnë një tarifë vjetore administrimi deri në 1.5 % të vlerës neto të aktiveve të fondit.

Në rastet kur tarifa vjetore e administrimit është mbi 1.5 % deri në 2.5% të aktiveve, masa e penalitetetit propozohej deri në 10% e aktiveve të tërhequra.

Në rastet e tërheqjeve të parakohshme të kryera në intervalin nga 5 deri në 10 vite si anëtar i fondit të pensionit, përfshirë këtu edhe vitin e dhjetë, projektrregullorja propozonte që penaliteti ishte jo më shumë se 10% e aktiveve të tërhequra.

Në rastet kur tarifa vjetore e administrimit ishte mbi 1.5 % deri në 2.5% të aktiveve, masa e penalitetetit propozohej deri në 5% e aktiveve të tërhequra.

Sipas projektrregullores së propozuar, penalitetet do të llogariteshin deri në vitin e dhjetë të anëtarësisë në fond, ndërsa përtej këtij afati, për anëtarin nuk do të ketë penalitete për tërheqjet e parakohshme.

Por, skema e parashikuar në projektrregullore u kundërshtua nga të gjitha shoqëritë administruese. Disa prej tyre kërkonin penalitete më të larta, ndërsa një tjetër propozonte që penalitetet të uleshin, duke qenë se nivelet e propozuara ishin ndër më të larta në Europë.

Pas konsultimeve, AMF është tërhequr nga propozimet e saj dhe përfundimisht ka vendosur të mos ndryshojë asgjë në dispozitat që lidhen me afatet dhe masat përkatëse të penaliteteve.