Bardhi: Rama i ka vënë “flakën” Shqipërisë, ju tregoj 4 prioritetet e PD

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se Kryeministri Edi Rama, me aferat, e tij i ka vënë “flakën” Shqipërisë, duke e varfëruar dhe shpopulluar.

Ne fjalën e mbajtur ne Kuvend, në nisjen e sesionit te ri, ai listoi katër prioritete të Partisë Demokratike: reformën zgjedhore, rritjen e pensionit minimal ne 300 euro, ligjin për caktimin e minimumit jetik dhe mbeshtetjen ndaj bujqësisë.

Fjala e plotë:

Të nderuar kolegë! Të dashur bashkëqytetarë! Tradita e kërkon që në çdo nisja apo rinisje të një pune, të urohet “punë e mbarë”. Por sot nuk është rasti.

Pse?

Sepse Partia Socialiste dhe qeveria e Edi Ramës e kanë shndërruar këtë sallë në Parlamentin e Punëve të Personale. E ka bërë të tillë, sepse pushteti i Edi Ramës është personal. Absolut. Kundër interesit publik. Sot jemi vetëm në letra një Republikë Parlamentare. Këtu nuk sundon ligji, por vullneti i një njeriu. Por lodhet kot me piktura dhe skulptura. Nuk ka për t’u bërë kurrë një burrë shteti, sepse Edi Ramën nuk e udhëheqin interesat e vendit, por interesi personal. I vetmi Zot të cilit ai i falet është Pushteti Personal dhe për të është i gatshëm të bëjë gjithçka.

Këto 12 vjet janë treguesi më i qartë se për pushtetin e tij personal, Edi Rama ka djegur Shqipërinë! I ka vënë flakën konkurrencës, ka djegur ekonominë e tregut, ka shkrumbuar vendet e punës, ka shkretuar Shqipërinë nga rinia dhe profesionistët duke detyruar të ikin brenda 1 dekade, rreth 1 milionë shqiptarë.

Çfarë nismash ka marrë ky parlament në interes të qytetarëve? Zero! Ka ulur taksat? Jo! Përkundrazi, i ka rritur ato! Dhe e ka bërë barbarisht, me dhunë, me arrigancë, duke grosur Kushtetutën! Këto nuk janë fjalë! Janë akte publike të verifikuara nga Gjykata Kushtetuese së fundmi për taksën antikushtetuese të profesioneve të lira! Një betejë, që ne si opozitë e bëmë dhe e fituam, bashkë me qytetarët.

Nuk ka bërë kjo qeveri dhe ky parlament noter i qeverisë ndonjë punë të mirë që sot të kishim mundësi t’i thoshim “puna e mbarë”.

Ky sesion nuk ka për të qenë i ndryshëm nga 11 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës. Vullneti i kësaj mazhorance nuk do të jetë për të bërë punë të mbara, në shërbim të qytetarëve, në shërbim të interesit publik.

Praktika ka treguar që shumica në këtë sallë nuk ka vullnet për të debatuar mbi ligje, nisma apo vendime që shkojnë në të mirë të qytetarëve. Kjo mazhorancë, kjo qeveri, e ka kthyer Kuvendin në noter të ligjeve klienteliste, të vendimeve korruptive apo në sallën ku më shumë se kudo, ndoshta në garë vetëm me sallën e mbledhjeve të qeverisë, shkelet dhe dhunohet Kushtetuta, mbrohet interesi i një grushti njerëzish, i jepet zë propagandës së qeverisë për të mbuluar aferat.

Kuvendi për fat të keq në vitet e fundit është kthyer në organin që dhunon më së shumti Kushtetutën. Dhe këtë nuk e them unë për politikë, dhe as si retorikë. Është fakt. Vetëm në sesionin e kaluar, Gjykata Kushtetutese e ka zënë këtë Kuvend në flagrancë, në shkeljen e Kushtetutës, më shumë se 5 herë. (Ligji për Studentët e Mjekësisë, Tatimi i Profesioneve të Lira, Ligji për Komisionet Hetimore, Rregullorja e Kuvendit, Mandati i Xhaçkës).

Po cfarë do të thotë kjo?! Lajthitje dhe padije e mazhorancës? Jo, sepse opozita i ka paralajmëruar të gjitha iniciativat që kanë qenë antikushtetuese. Por paralajmërimi i saj ka rënë në vesh të shurdhët. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me arrogancën nga qëndrimi i gjatë në pushtet që ka kapur mazhorancën. Kjo ka tëbëjë mbi të gjitha me mendësinë që ka kjo mazhorancë në raport me shtetin ligjor, në raport me normat demokratike, në raport me qytetarët apo edhe në raport me vetë të drejtat dhe liritë e opozitës.

E kujtojmë të gjithë betejën disamujore të opozitës! Për cfarë? Thjesht për respektimin nga ana e mazhorancës e të drejtave kushtetuese të opozitës, që lidheshin drejtpërdrejt me instrumentet e kontrollit ndaj mazhorancës. Por nëse Kuvendi humb ato instrumente, humb vetiu legjitimitetin, humb qëllimin për të cilin ekziston.

Mjafton të shikosh vetëm raportin që Kryeministri ka krijuar më Kuvendin. Refuzon Kuvendin, refuzon të japë llogari, refuzon të përmbush detyrimet kushtetuese për të raportuar, i fshihet opozitës. Është fiks si cdo shkelës i ligjit, që pasi shkel ligjin, i fshihet edhe përballjes për të dhënë llogari. Prandaj dhe Edi Rama ka refuzuar në vazhdimësi të përballet me opozitën në interpelancë dhe jo për çështje periferike, por për çështje ku ai është implikuar drejtpërdrejt. Ka refuzuar të përballet për përfshirjen e vëllait të tij në trafikun e drogës në Xibrakë, ka refuzuar të përballet kur ish-këshilltari i tij, agjenti i shërbimeve sekrete, rumuni Coldea, u përfshi në trafikun e drogës; ka refuzuar të përballet për akuzat që lidhin qeverisjen e tij me krimin e organizuar.

E ndërsa vetë fshihet, ka gjetur një moto të re propagandistike. Përveç “fajin e ka opozita”, tashmë ka shtuar edhe “fajin e kanë deputetët”. Pra fajin nuk e ka ai, as ministrat e tij të korruptuar, por kolegët deputetë, një pjesë e të cilëve të ndershëm, por shpesh të keqpërdorur si kartona për aferat e tij apo oborrit të tij.

E vërteta të ndëruar kolegë socialist, është që ne jemi betur që kartonët, do t’i ngremë vetëm për interesat e qytetarëve dhe jo për të kundërtën, siç ndodh tashmë rëndomtë këtu për t’i shërbyer një pakice që, në kurrizin e të ndershmëve, i shërben vetëm pasurimit të kryeministrit apo oborrit të tij. Le të jetë ky sesion mundësia që ju të dëgjoni shqetësimet qëngre opozita në këtë sallë. Ne nuk jemi armiqtë tuaj, dhe ju nuk ka asnjë arsye të certifikoni veten si armiq të qytetarëve shqiptarë. Prandaj në këtë sesion uroj që kartonat si deputetë ti ngremë vetëm për atë që jemi betuar. Për interesin publik, për qytetarët.

Duke nisur nga nevoja për t’i dhënë zgjidhje një problemi qëshoqëron Shqipërinë prej vitesh: mungesës së garancive për barazi në zgjedhje, mungesës së garancive për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk mund ti ikni për më gjatë kësaj cështje. Raportet e OSBE-ODIHR janë aty. Kërkojnë adresim për garantimin e lirisë së votës; kërkojnë adresim për fenomenin e shitblerjes së votës; kërkojnë adresim të përdorimit nga ju të shtetit në zgjedhje, kërkojnë adresim të fenomenit të përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje, kërkojnë adresim të përdorimit të krimit të organizuar në zgjedhje.

Duke vijuar me shqetësimet e tjera që vazhdimisht i kemi ngritur në këtë sallë.

Ju kujtoj këtu që nuk është vetëm opozita që ngre shqetësim për krimin dhe korrupsionin, por janë raportet e partnerëve tanë strategjikë, si Departamenti Amerikan i Shtetit apo raportet e organeve të Bashkimit Evropian.

Nuk është vetëm opozita që ngre shqetësim për medien! Janë raportet prestigjioze të organizatave ndërkombëtare, që flasin dhe ngrenë alarmin për media të kontrolluara nga qeveria apo për shantazhe dhe presione ndaj gazetarëve.

Nuk është vetëm opozita që ngre shqetësimin për varfërinë dhe përkeqësimin e jetesës së shqiptarëve! Është Fondi Monetar Ndërkombëtar që thekson se 30 % e familjeve shqiptare janë në vështirësi për të garantuar bukën e përditshme. Janë raportet ndërkombëtare të cilat theksojnë se më shumë se 35% e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi të paguajnë dritat dhe ujin. Është Raporti i UNICEF që thotë se 47% e fëmijëve shqiptarë nuk ushqehen siç duhet.

Dhe këto janë shifra që duhet të na alarmojnë të gjithë bashkë. Ky duhet të jetë fokusi i këtij Kuvendi, kjo duhet të jetë puna jonë e përditshme, pa ndasi, pa retorikë, pa propagandë.

Prandaj do të duhej të ishte në nderin e këtij Kuvendi, ta niste këtë sesion të ri duke u dhënë prioritet të paktën tre nismave që ka propozuar opozita:

1. Ligjit për përcaktimin e minimumit jetik;

2. Rritjes së pensioneve;

3. Financimit të sektorit të bujqësisë.

Këtu duhet të fokusohemi ne. Ky duhet të ishte fokusi i këtij Kuvendi, jo klientelizmi, jo lufta ndaj qytetarëve, jo varfërmi i tyre dhe pasurimi i një grushti afër Edi Ramës, që e kanë kthyer vendin në plaçkë korrupsioni.

Nga kjo foltore, nga kjo sallë, unë do të garantoj çdo qytetar shqiptar se opozita, Partia Demokratike do të luftojë për Shqipërinë e shqiptarëve, jo për Shqipërinë e një grushti pushtetarësh.

Do të luftojmë për Shqipërinë ku mund të jetohet dhe punohet me dinjitet, jo për Shqipërinë ku ligjin e bën më i forti dhe ku pasurimi kalon vetëm përmes korrupsionit.

Flaka që Edi Rama i ka vënë Shqipërisë do të duhet të marrë fund me votën e shqiptarëve! Ne, si opozita e këtij vendi, kemi detyrimin historik të ndalim të keqen më të madhe që vendi ka patur pas diktaturës. Në thelb, regjimi i Edi Ramës nuk ndryshon shumë nga ai i Enver Hoxhës. Ai ndërtoi një diktaturë bardh e zi, ky i sotmi ka ndërtuar një diktaturë me ngjyra, në të cilën njerëzit kanë frikë të flasin, nuk ka zgjedhje të lira, nuk respektohet shteti ligjor, nuk ka ekonomi tregu. Na duhet një bashkim i madh me shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë!

Grupi ynë parlamentar, opozita, do të qëndrojë fort për interesat e qytetarëve, në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle, me qëllimin e vetëm që shqiptarët të kenë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.


Shtuar 2.09.2024 18:02

Tags: ,