Prej tre vitesh nuk fal asnjë të burgosur, Vjosa Osmani me “dorë të hekurt” në Kosovë

Aktualisht Kosova gjendet në vitin e tretë radhazi ku presidentja Vjosa Osmani, nuk e ka falur asnjë të burgosur. Në këtë institucion nga viti 2021 deri më sot, numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar është 469, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK). Nga Zyra e Presidencës nuk kanë kthyer përgjigje se për cilat arsye nuk është aprovuar asnjëra kërkesë.

“Numri i kërkesave të parashtruara për falje nga ana e personave të dënuar, prej vitit 2021 deri më sot, është 469. Shërbimi Korrektues i Kosovës, nga viti 2021 deri më sot, nuk ka pranuar Dekret nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës për falje të personave të dënuar”, thuhet në përgjigjen e SHKK-së.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë për ‘Ekonomia Online’, se presidentes Vjosa Osmani po i kalon mandati pa e përdorur të drejtën e saj kushtetuese, raportojnë mediat në Kosovë.

“Presidentes po i kalon afati pa falur asnjë të dënuar për të qenë më saktë këtë vit i patë falur dy të dënuar mirëpo paraprakisht ata kanë qenë të liruar nga paneli për lirim me kusht. Deri tani asnjë i burgosur nuk ka përfituar falje nga presidentja zakonisht ka deri në katërqind kërkesa dhe për ne është e papranueshme dhe jo normale që në mesin e pesë të burgosurve hiqeni për katër vite vijnë dy mijë kërkesa që të mos jetë një i vetëm që i plotëson kushtet për falje. Ne vlerësojmë që ka shumë të burgosur të dënuar të cilët i plotësojnë kushtet për falje pa rrezikuar situatën e sigurisë”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se kjo përveç që është dekurajim për të burgosurit, ua vështirëson punën edhe Shërbimit Korrektues, drejtorëve dhe familjarëve të burgosurve.


Shtuar 25.08.2024 17:16

Tags: ,