“Mision i pamundur” e ka quajtur Jose Mourinho aventurën e tij më të re në pankinën e Romës, që do të nisë zyrtarisht më 6 korrik, ditë në të cilën verdhekuqtë do të grumbullohen për të përgatitur sezonin e ri.
Trajneri portugez ka zbuluar se drejtuesit e Romës e kanë kontaktuar që në ditën që u shkarkua nga Tottenham dhe e kanë vlerësuar maksimalisht, teksa kanë gjetur edhe mënyrën e duhur për ta bindur të rikthehet në Serinë A, aty ku shkroi historinë me Interin.
“E quaj mision të pamundur, pasi njerëzit më njohin dhe identifikojnë vetëm si një trajner fitues. Roma më vlerësoi maksimalisht dhe më kontaktoi që ditën që u shkarkova nga Tottenhami. Mu desh shumë pak kohë për të pranuar ofertën e tyre, pasi ishin vërtetë bindës”, rrëfen Mourinho.
Tekniku portugez pranon se ka pranuar të vijë në një klub ku trofetë mungojnë prej 20 vitesh, por zbulon se projekti i amerikanit Friedkin është mjaft ambicioz dhe synon ngritjen e Romës në nivele të larta.
“Friedkin më ka vlerësuar dhe më ka bërë të ndjej sërish pasionin për futbollin dhe ka “ndezur zjarrin” brenda meje. Vij në një klub që nuk fiton prej 20 vitesh, por presidenti më ka shpjeguar projektin në mënyrë të ndershme, të sinqertë dhe objektive. Me Friedkin dhe Pinton ka lindur një empati e menjëhershme, pasi më transmetuan entuziazmin e punës që kanë nisur”, tha tekniku i verdhekuqve.