VOA: Çfarë solli nata e tretë e Kuvendit Kombëtar Demokrat?

Në mbrëmjen e tretë të Kuvendit Kombëtar Demokrat u shfaq ish-Presidenti Bill Clinton dhe iu prezantua më gjerësisht amerikanëve kandidati për nënpresident, guvernatori i Minesotas, Tim Walz, i cili ishte pak i njohur jashtë shtetit të tij përpara se të përzgjidhej nga zonja Harris.

Zoti Walz, ish-mësues dhe ish-trajner i futbollit amerikan, shfrytëzoi fjalimin për t’i dhënë një ton ndryshe axhendës së demokratëve, më pranë problematikave të qyteteve të vogla amerikane, në mbrojtje të lirive individuale dhe për të refuzuar ato që demokratët i quajnë politika ndërhyrëse të kandidatit republikan Donald Trump.

Në epiqendër të programit të së mërkurës ishin edhe disa politikanë të rëndësishëm demokratë dhe figura e mirënjohur e mediave, Oprah Winfrey, e cila mbajti një fjalim energjik për të mbështetur kandidaturat e Partisë Demokrate.

Tim Walz paraqitet si një person i zakonshëm
Prej vitesh, republikanët i kanë paraqitur demokratët si pjesë të elitave të vendosura në zonat bregdetare, të cilët kanë pak gjëra të përbashkëta me amerikanët e zakonshëm.

Zoti Walz u përpoq ta përdorë historikun e jetës së tij, si gjuetar, mësues, trajner futbolli dhe ushtarak në Gardën Kombëtare, për t’iu kundërvënë këtyre sulmeve, që republikanët i kanë përdorur në të kaluarën me efektshmëri.

Kandidimi i tij shërben si një kundërpeshë, ndërsa republikanët po përpiqen ta paraqesin zonjën Harris si një liberale nga Kalifornia me ide të rrezikshme.

Gjatë fjalimit të tij, zoti Walz u përpoq të përmbysë argumentat e republikanëve, duke iu rikthyer ndërkohë vlerave të zonës së tij.

“Kur ata po largonin librat nga shkollat, ne po largonim urinë nga shkollat tona”, tha ai.
Kjo ishte një përpjekje për të tërhequr audiencat me të cilat demokratët kanë hasur në vështirësi gjatë viteve të fundit, në përgjithësi votuesit e bardhë të zonave rurale që i janë larguar gjithnjë e më shumë kësaj partie.
Bill Clinton, tashmë 78 vjeç, përmend moshën e madhe të kandidatit republikan
Ish-Presidenti Clinton ka mbajtur fjalim në 13 kuvende demokrate me radhë, duke ia filluar në vitin 1976. Të mërkurën, ai rrëfeu se “nuk e di se në sa të tilla do të jem në gjendje të vazhdoj të vij”.

Ky ishte një pranim tronditës nga një ndër figurat më dominante në Partinë Demokrate. Zoti Clinton, tashmë 78 vjeç, nuk iu ndruajt moshës së tij dhe madje e përdori atë kundër kandidatit republikan, duke thënë se: “Jam megjithatë më i ri se Donald Trump-i”.

Në fjalimin e tij 27-minutësh, ish-Presidenti Clinton shfrytëzoi ato që ka përjetuar përgjatë dekadave dhe leksionet e historisë. Ai i paralajmëroi demokratët se sa do mirë që të ndihen tani, fushata do të jetë e vështirë.

“Nuk duhet ta nënvlerësoni kurrë kundërshtarin”, tha ish-Presidenti Clinton.

Një deklaratë që mund të merret si një aludim për atë që ndodhi me bashkëshorten e tij, Hillary Clinton, e cila nuk arriti ta fitojë presidencën në vitin 2016.
Në një vend të polarizuar thellë, një grup u prit megjithatë me duartrokitje të forta në kuvendin republikan dhe atë demokrat – prindërit e të rinjve të marrë peng pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në 7 tetor.

Muajin e kaluar në Miluoki, Ronen dhe Orna Neutra, i folën audiencës për pengmarrjen e djalit të tyre, Omerit, dhe thërritën së bashku me të pranishmit: “Sillini në shtëpi!”.
Të mërkurën, Jon Polin dhe Rachel Goldberg-Polin, prindërit e 23-vjeçarit Hersh Goldberg-Polin të marrë peng në 7 tetor, u ngjitën në skenë me të njëjtën thirrje.

“Ky është një kuvend politik”, tha Jon Polin. “Por nevoja që të kthehet në atdhe djali ynë dhe të gjithë pengjet e tjerë, nuk është një çështje politike. Është çështje humanitare”.

Gjatë kuvendit republikan, disa folës e kritikuan Presidentin Joe Biden dhe Nënpresidenten Harris se nuk e dekurajuan Hamasin për sulmin dhe se neglizhuan pengjet. Por çifti Polin tha se kanë folur në mënyrë të përsëritur me presidentin dhe nënpresidenten dhe lavdëruan përpjekjet e tyre.

Ndërkohë që kuvendi republikan e paraqiti Hamasin si një rrezik ndaj Shteteve të Bashkuara, në kuvendin demokrat është përmendur relativisht pak lufta, megjithëse jashtë godinës vazhdojnë të demonstrojnë protestuesit pro-palestinezë, duke kërkuar që administrata amerikane mos ta mbështesë Izraelin.

Sërish në vëmendje sulmi më 6 janar ndaj Kapitolit
Sulmi i 6 janarit ndaj Kapitolit ka qenë një pjesë kryesore e fushatave elektorale demokrate që kur vendi u trondit nga pamjet e transmetuara. Demokratët i dhanë sërish një vend kryesor gjatë të mërkurës në mbrëmje.

Në kuvend u shfaq një video ku tregohej ish-Presidenti Trump duke u bërë thirrje mbështetësve të tij që të marshonin drejt Kapitolit, sulmet ndaj oficerëve të policisë dhe zotimin e zotit Trump se do t’i falte të dënuarit.

Në ditën e djeshme folën edhe republikanë për shqetësimet e tyre për kandidatin republikan Donald Trump.

Ish zv/Guvernatori i Xhorxhias, Geoff Duncan rikujtoi kërcënimet nga mbështetësit e ish-Presidentit Trump, kur refuzoi t’u bindej kërkesave të ish-presidentit në vitin 2020 për ta shpallur atë fitues në Xhorxhia dhe jo Presidentin Biden.

Zoti Duncan iu drejtua kolegëve të tij republikanë, duke u thënë se nëse do të votonin për zonjën Harris, “nuk do të jeni demokratë. Do të jeni patriotë”.

Demokratët me një përkufizim më të gjerë për liritë
Tematika e mbrëmjes së tretë ishte “liria”. Në sfond dëgjohej muzika po me këtë titull e këngëtares Beyonce që është bërë lajtmotivi muzikor i fushatës elektorale të zonjës Harris, ndërsa në ekrane shfaqej fjala “liri” gjatë fjalimeve të ndryshme.

Demokratët e lidhën këtë temë me çështjen e të drejtave të riprodhimit, që morën rëndësi të shtuar pas rrëzimit të së drejtës për abort në rang kombëtar.
Demokratët gjithashtu e përdorën argumentin për lirinë për t’i kritikuar republikanët për disa çështje të tjera sociale, që nga të drejtat për homoseksualët dhe deri tek ndalimi i librave nëpër shkolla.

Guvernatori i Kolorados, Jared Polis, një homoseksual që po rrit dy fëmijë së bashku me bashkëshortin e tij, e lidhi këtë çështje me Projektin 2025.

Ky dokument u hartua nga Fondacioni konservator Heritage dhe shikohet si një axhendë e mundshme për një mandat të dytë të ish-Presidentit Trump, megjithëse ai thotë se nuk ka lidhje me fushatën e tij elektorale.

“Projekti 2025 do ta shndërronte të gjithë qeverinë federale në një makineri masive, që do të përdorej për të kontrolluar zgjedhjet që ne bëjmë për riprodhimin”, tha zoti Polis.
Gjatë një ndër fjalimeve më elektrizuese, Oprah Winfrey tha për lirinë se “herë pas here është e nevojshme që të ngrihemi kundër përndjekësve në jetë”.

Demokratët, me lidhje të hershme me Hollivudin, kthejnë vëmendjen drejt platformave online
Partia Demokrate ka patur gjithnjë mbështetjen publike dhe financiare të figurave të mirënjohura të artit dhe skenës.

Kjo parti po krijon tashmë partneritete të reja me ata që influencojnë sipas mënyrave të shekullit të 21-të: në internet.

Mbi 200 personave me influencë në internet u është dhënë qasje e posaçme tek punimet e kuvendit.

Me dhjetëra miliona ndjekës që ata kanë në platformat e tyre, mesazhi i politikanëve mund të përhapet më gjerësisht se sa arrihej më parë nga figurat e skenës, apo edhe mediat.

Një ndër folësit në kuvend, Carlos Eduardo Espina, ka p.sh. 10.2 milionë ndjekës në platformën e tij në gjuhën spanjolle në rrjetin TikTok dhe mund të ndihmojë me këtë segment jetik të votuesve për zgjedhjen e zonjës Harris.

Ai iu bashkua një ligjvënëseje nga zonat kufitare dhe një sherifi nga Teksasi për të mbrojtur përqasjen për emigracionin të administratës Biden-Harris. “Të jesh pro-emigrantëve do të thotë të jesh pro-Amerikës”, tha ai.

Muzikë tërheqëse për bazën e mbështetësve
Kolonat zanore në kuvendin republikan muajin e kaluar në Miluoki u dominuan nga muzika rok. Për demokratët e mbledhur në Çikago, muzika ishte shumë më e shumëllojshme.
Kjo reflekton dallimet dramatike mes dy bazave të votuesve.
Kuvendi republikan u mbështet së tepërmi tek lloji i rokut që ishte shumë popullor në programet e radios për votuesit që ishin të rinj në vitet 1960 dhe 1970.

Ndërkohë kuvendi i demokratëve përfshinte muzikë rap, R&B, indie rock, country, Americana dhe edhe rokun klasik, duke iu përmbajtur kështu përbërjes multi-racore të këtij koalicioni.
Gjatë punimeve të kuvendit dolën në skenë artistë si Lil Jon, Jason Isbell, Stevie Wonder dhe John Legend, ndërsa në natën e fundit pritet të shfaqet edhe këngëtari Pink.

Në kuvendin republikan merrte pjesë një bandë muzikore që luante pjesë nga Aerosmith, Cheap Trick, Lynyrd Skynyrd dhe këngëtari i muzikës country Lee Greenwood, që luajti këngën “Zoti e bekoftë SHBA-në” (“God Bless the USA”)./voa


Shtuar 22.08.2024 17:30