Vizita e shefit të CIA-s në Bosnje dhe Serbi, analistët: Përgjigje ndaj Kremlinit dhe aspiratave secesioniste

Analistë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë në Bosnje e Hercegovinë e shohin vizitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA) në këtë vend dhe në Serbi si përgjigje ndaj sfidave që paraqet ndikimi i Kremlinit në rajon, si dhe ndaj aspiratave secesioniste të politikanëve prorusë në Republikën Sërpska.

“Jam i bindur se ky është një problem serioz, sepse drejtori i CIA-s rrallëherë shkon në misione të tilla dhe i shpall ato publikisht. Supozoj se një nga arsyet është rritja e ndikimit malinj të Serbisë dhe Rusisë në Ballkan”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Sërgja Pavlloviç, historian dhe bashkëpunëtor i Institutit Wirth të Universitetit të Albertës në Kanada.

Një zyrtar i Qeverisë amerikane, i cili kërkoi të mos emërohet, i tha Radios Evropa e Lirë se diskutimet e William Burnsit dhe bashkëpunëtorëve të tij me kreun e Agjencisë së Sigurisë së Inteligjencës, Presidencën dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës më 20 gusht u përqendruan, mes tjerash, te përshkallëzimi i tensioneve nga presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.


Shtuar 22.08.2024 09:46

Tags: , ,