Balerina ruso-amerikane Ksenia Karelina, u deklarua fajtore me akuzat për tradhti, pasi u arrestua për dhurimin e parave në mbështetetje të Ukrainës.
Prokurorët rusë po kërkojnë një dënim prej 15 vitesh, pasi shërbimet e sigurisë akuzuan Karelina-n se dhuroi para që u përdorën për blerjen e furnizimeve taktike për ushtrinë ukrainase.
Ajo u arrestua nga autoritetet në Yekaterinburg, rreth 1600 km në lindje të Moskës. Dënimi vjen një javë pasi Rusia dhe Perëndimi kryen shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë, ku u shkëmbyen 24 persona të burgosur në shtatë vende të ndryshme.
Avokati i Karelina tha se kërkesa e prokurorëve për një dënim 15-vjeçar ishte shumë e rëndë, pasi e pandehura kishte bashkëpunuar me hetimin.
Banorja e Los Anxhelosit kishte disa vite që jetonte larg Rusisë dhe mori nënshtetësinë amerikane në vitin 2021.
Ajo udhëtoi në Rusi për një vizitë familjare në janar dhe që atëherë është penguar të kthehet në shtëpinë e saj në Los Anxhelos.
Hetuesit ngritën akuzën për tradhti ndaj saj, pasi zbuluan se ajo kishte dhuruar rreth 50 dollarë për Razom, një organizatë bamirëse që mbështet Ukrainën. Organizata bamirëse tha se ishte “e tmerruar” kur dëgjoi për arrestimin e balerinës.